Për kreun e PD, Lulzim Basha, kryeministri Edi Ramën është problemi më i madh për ekonominë, papunësinë dhe shkatërrimin e drejtësisë.
Gjatë një takimi me demokratët e Lezhës, Basha iu referua vendimit të Gjykatës së Durrësit, që sipas tij në mënyrë të paprecedente e cila ndryshoi vendimin e saj të mëparshëm për pavlefshmërinë e mandatit të prodhuar nga 30 Qershori.
“Kjo tregon se drejtësia është tërësisht e privatizuar nga Edi Rama. 3 vjet pas miratimit të reformës në drejtësi, drejtësia është tërësisht e kapur nga Rama. Kjo është arsyeja pse drejtësia nuk funksionon“– u shpreh Basha.
“Edi Rama është kryeministri më hajdut, më arrogant, dhe më mashtrues më historinë e Shqipërisë. Paratë tuaja, paratë e shqiptarëve po i vjedh Edi Rama me familjen dhe miqtë e tij. Pasurohen të pushtetshmit dhe të pasurit, varfërohen njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur. Nëse shqiptarët nuk kanë të hanë është sepse paratë e tyre i ka vjedhur Edi Rama. Miliarda euro janë vjedhur, abuzuar dhe shpërdoruar këto 6 vjet, të gjitha kanë përfunduar në xhepat e Ramës dhe janë shpërdoruar për tekat e Ramës në lluks dhe fasada”, theksoi kryedemokrati.
Kusari, papunësi dhe vrasje të shpresës e ka cilësuar kreu i opozitës koncesionin Milot Balldren.
“Nëse shqiptarët janë pa punë, është sepse ekonominë, paratë dhe mundësitë ekonomike i kanë marrë oligarkët dhe klientët e Ramës. Nëse shqiptarët nuk kanë shpresa është sepse shpresat e tyre i ka vrarë Rama me oligarkët hajdutë, siç po bën edhe këtu në Lezhë me kusarinë Milot Balldren.”
Lideri i opozitës theksoi rëndësinë e avancimit të objektivit madhor të PD, që, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, të shndërrohet nga shumica morale e vendit në shumicë qeverisëse.
“30 qershori, në këtë pikëpamje vetëm ka përforcuar dhe konfirmuar si të drejta shqetësimet dhe rrugëdaljet nga kriza që kemi parashtruar: një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, çuarjen para drejtësisë të të gjithë politikanëve dhe kriminelëve, të faktuar para të gjithë botës si hajdutët e zgjedhjeve, dhe zgjedhje të parakohshme” theksoi në takimin e Lezhës kreu i opozitës Lulzim Basha.