MENU
klinika

Pasqyrimi i plotë

Mbyllet protesta/ Basha: Rotacioni politik po vjen…

08.07.2019 - 19:52

Ora 22:16/ Basha: Opozita e ka dëgjuar klithmën për ndryshim!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbërritur në ambientet e selisë së PD-së.

Ai tha se kryeministri Rama e ka marrë vulën e largimit e ka marrë nga shumica absolute e shqiptarëve.

“Falë betejës suaj edhe kur gazi mbushte mushkritë tuaja, falë sakrificës suaj sot shumica absolute e shqiptarëve kanë përqafuar thirrjen tuaj. Rama ik. Vulën e largimit e ka marrë nga shumica absolute e shqiptarëve.

Të gjithë ata që janë bashkuar në këtë betejë dhe janë të vendosur për largimin e Ramës, duhet ta dinë sot dhe në vijim se PD, opozita e bashkuar e kanë dëgjuar klithmën tuaj për ndryshim. Ndryshimi është qëllimi kryesor i yni dhe prioriteti im kundrejt cdo shqiptari dhe socialistëve të ndershëm. Ditët dhe javët në vijim do të jenë të ngjeshura me aksion politik për t’i dhënë thelb ndryshimit. Edi Rama do të largohet, por është detyra jonë dhe të mos mjaftohemi me rotacionin politik që po vjen.

Ky është zotimi im para jush, flamurit kuq e zi dhe para zotit. Të gjithë bashkë do ti japim formë shpresës për ndryshim. Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë.”, u shpreh Basha.

Ora 21:36/ Basha: 30 qershori në histori, Rama s’e fshehu dot braktisjen!

Kreu i opozitës, Lulzim Basha deklaroi sot se 30 qershori hyri në historinë e Shqipërisë si dita ku 85% e shqiptarëve refuzuan regjimin.

Basha tha sot se Rama vetë kandidoi, vetë votoi dhe numëroi dhe prapë sipas tij vodhi votat.

“Dhjetëra mijëra në këtë shesh jemi triumfi i shpresës. Një javë më parë më 30 qershor refuzuan të keqen, izoluam krimin, ndëshkuam korrupsionin, 30 qershori ishte referendum kundër të keqes. 30 qershori është një monument i mrekullueshëm i lirisë dhe qytetarisë së shqiptarëve.

30 qershori hyri në histori si dita kombëtare e kurajës ku shqiptarët treguan se ata kanë forcën të ndahen nga e keqja. 30 qershori ishte dita e popullit ku shqiptarët treguan se janë kundër regjimit kriminal të Edi Ramës.

Vetë kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi por prapë i vodhi votat por nuk mundi të fshehë dot braktisjen dhe refuzimin e popullit. 85% e shqiptarëve e refuzuan regjimin e tij, refuzuan krimin dhe korrupsionin, refuzuan varfërinë. Regjimi kriminal i Edi Ramës me propagandë, me mashtrime, me mercenarë dhe para u mundua të mbjellë mosbesim dhe frikë në zemrat e shqiptarëve.

Për t’i trembur që të mos bëhemi bashkë. Na do të jemi të heshtur sepse kështu na grabit dhe plaçkit. Populli i bashkuar është fundi i autokratëve të korruptuar. Ne i themi ndal qeverisë më të korruptuar të Evropës, ndal politikës së krimit, grabitjes, Shqipëria është e njerëzve, qeverisja është e popullit. Rama ik”, tha Basha.

Ora 21:12/ Kryemadhi: Shqiptarët nuk shqetësohen për karrigen e Metës!

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ka dalë nga selia e partisë që drejton për t’iu bashkuar protestuesve, ndërsa ka përqafuar një vajzë të vogël e mbuluar me flamurin europian.

Kryemadhi tha se protestat nuk duhet të quhen më protesta të opozitës, por të shqiptarëve të cilët duan më shumë punë e taksa të ulëta.

“Protestat nuk do të mbarojnë deri sa të mbyllet kjo vuajtje e jashtëzakonshme. Problemi nuk është te metodat, vjen te mënyra në të cilën është organizuar struktura kriminale e Ramës. Me procesin farsë mori goditjen ballore, dhe ndërkohë kemi një varfëri të jashtëzakonshme, një largim në masë të të rinjve. Janë protesta të shqiptarëve, protestat janë për të zgjidhur përfundimisht tranzicionin. Nuk ka bërë vaki që ky reagim qytetar i Shqipërisë, këtë reagim kaq të madh Shqipëria e ka patur vetëm në vitet ’90 kur u ngritën kundër regjimit.”, tha Kryemadhi për mediat.

Ajo komentoi edhe votimin në parlament për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për presidentin Meta.

“Është një parlament që vjen si rezultat i parave të krimit. Sot shqiptarët nuk kanë hallin e karriges së Metës, të gjithë thërrasin se duan punë, taksa të ulëta, BE, me këtë qeveri Shqipëria nuk do jetë kurrë në BE, Rama po e con vendin drejt një izolimi total. Kapja e reformës në drejtësi, e ekonomisë shqiptare për ta kthyer në lavatrice të parave te pista e drogës, dhe këtë se thotë opozita por ndërkombëtarët.” Vijoi më tej Kryemadhi.

Sa i takon protestës së sotme Kryemadhi u shpreh se ajo do të jetë paqësore.

Ora 20:20/ Meta para protestës: Ju lutem sa më pak zhurmë në respekt të KQZ

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar me një status në “Facebook” pak minuta para nisjes së protestës së opozitës dhe një orë pasi parlamenti miratoi ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e tij.

Meta i shpreh mirënjohejn qytetarëve që nuk u bënë pjesë e farsës, duke iu referuar 30 qershorit, ndërsa iu bën apel qytetarëve të protestojnë vetëm paqësisht dhe në ironi iu lutet për sa më pak zhurmë në respekt të organizatës socialiste në KQZ që punon ditë e natë.

MESAZHI I METËS

Të dashur qytetarë!

Ndërsa drejtuesit e Opozitës së Bashkuar ju kanë ftuar sot në një protestë kombëtare kundër votimeve socialiste të 30 qershorit, dua të përshëndes mbi 85% të qytetarëve, të cilët bojkotuan një proces “fake”, më të shëmtuarin që mund të ndodhte në kontinentin tonë të civilizuar, pas 3 dekadash që kur vendi ynë u nda nga regjimi më shtypës i të drejtave të njeriut që njohu e gjithë Europa ish-komuniste.

Ndaj një mirënjohje të gjithë shqiptarëve, të cilët bojkotuan farsën më të turpshme që mund të bënte vendi në këto momente kur klasa politike duhet të tregonte përgjegjësi dhe vizion europian.

Për këtë ka meritë dhe distancimi i prerë dhe i qartë i lidershipit tuaj, nga çdo akt dhune në dy javët e fundit që ndihmoi shumicën dërmuese të shoqërisë tonë për të identifikuar armikun e betuar të dialogut në këto 6 vite në vendin tonë, i cili ka mbijetuar vetëm përmes diversionit, përçarjes së opozitës, blerjes së zgjedhjeve përmes aktivizimit të “çunave problematikë” dhe lobingjeve të shfrenuara për t’i mbyllur sytë gjithë botës për të mos parë një maskaradë të gjithanshme, që kulmoi me të Dielën e Fitorjeve, plot tejkalime të shfrenuara.

Ndaj ju ftoj të vazhdoni të protestoni vetëm paqësisht, për ta bërë kauzën tuaj edhe kauzën e shumicës së atyre që u detyruan të merrnin pjesë në farsën e 30 qershorit.
Nga ky test shumë i rëndë ku u provokua demokracia jonë dhe bashkëjetesa qytetare, kjo kauzë i ka të gjitha mundësitë për të dalë shumë më e fortë vetëm përmes rezistencës qytetare dhe paqësore.

Ju lutem dhe për sa më pak zhurmë sot, në respekt të organizatës socialiste në KQZ, që po punon ditë e natë të përputhë rezultatet, me tejkalimet e shfrenuara që vazhdojnë çdo moment.

Ora 19:50/ Blindohet Kryeministria, dhjetëra forca policie me maska e mbrojtëse

Pak minuta para nisjes së protestës së dhjetë të opozitës së bashkuar dhjetëra forca policie kanë rrethuar Kryeministrinë.

Efektivët mbajnë në duar maska kundër gazit, bombola të vogla dhe mbrojtëse. Makina policie dhe efektivë janë vendosur nga të gjitha anët e Kryeministrisë për të mbajtur të paprekur godinën.
Nuk dihet nëse do të jetë e qetë si e kaluara kjo protestë apo do të ketë dhunë, ndërkohë që policia duket e pajisur mirë.

Janë 1300 forca policie që ndodhen në sheshin përpara Kryeministrisë, por edhe institucionet e tjera që ndodhen shumë afër godinës kryeministrore.

Në brezin e parë do të ketë policë që nuk janë të pajisur me armë. Përpara kryeministrisë ka edhe një tribunë dhe pritet të përdoret për mbajtje fjalimesh. Kjo është protesta e parë e opozitës pas zgjedhjeve.

Policia ka dhënë leje deri në orën 22:00 për zhvillimin e protestës.