MENU
klinika

"7.44 mln euro"

Brezi 800 Mhz/ Rihapet tenderi, çmimi minimal i kërkuar

26.07.2019 - 13:47

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare do të rihapë tenderin për dhënien në përdorim të frekuencave në brezin 800 Mhz.

Pas dështimit të pjesshëm në procedurën e parë, që u mbyll në muajin shkurt të këtij viti, AKEP i propozoi të enjten Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë hapjen e garës për frekuencat e ngelura ende të lira.

Sipas propozimit të AKEP, do të jepen maksimalisht dy të drejta përdorimi, ndërsa çmimi minimal i kërkuar do të jetë i njëjtë me tenderin e parë, 7.44 milionë euro.

Rihapja e garës do t’iu japë sërish mundësi operatorëve Telekom Albania dhe Albtelecom të marrin frekuenca në brezin 800 Mhz.

Gara e parë për këtë brez u hap në korrik të vitit 2018 dhe u shty dy herë, me shpresën se të gjithë operatorët do të vendosnin të merrnin pjesë.

Pavarësisht shtyrjeve, në fund Telekom Albania dhe Albtelecom nuk paraqitën oferta. Telekom pati kërkuar edhe një shtyrje tjetër, me argumentin se ishte në fazën e shitjes së aksioneve nga Cosmote te konsorciumi bullgar Albania Telecom Invest.

Ndërsa Albtelecom la të kuptohet se nuk ishte e gatshme të paguante çmimin e kërkuar nga AKEP. Në tender mori pjesë vetëm Vodafone Albania, që ofroi një euro sipër çmimit dysheme.

Fakti që AKEP po insiston të kërkojë një çmim që është vlerësuar tepër i lartë prej operatorëve do ta bëjë të vështirë përmbylljen me sukses të plotë edhe të procedurës së dytë.

Vitet e fundit, fitimet e operatorëve celularë kanë rënë në mënyrë drastike, për shkak të konkurrencës së ashpër në këtë treg.

Vitin e kaluar, vetëm operatori dominant në treg, Vodafone Albania, arriti rezultat financiar pozitiv, ndërsa Telekom Albania dhe Albtelecom e mbyllën bilancin me humbje, shkruan scan.

AKEP vlerëson se dhënia e brezit 800 Mhz në përdorim për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike do të ketë një impakt të ndjeshëm në të gjithë zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë.

Zhvillimi i infrastrukturës broadband në të gjithë vendin do të rriste aksesin në shërbimet elektronike në fusha të ndryshme si në tregti, shëndetësi, edukim apo në shërbimet publike në përgjithësi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


9 milionë euro në tre vjet

Rihapet tenderi për uniformat e policëve