Banka e Shqipërisë njoftoi se treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 0.7 pikë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019.
Niveli i TNE-së, në vlerën 105.8, vijon të mbetet mbi mesataren e tij afatgjatë. Me gjithë përmirësimin e besimit në sektorin e shërbimeve, rënia e TNE-së pasqyroi rënien e besimit në sektorët e industrisë, ndërtimit, tregtisë dhe besimit konsumator.
Bie besimi në industri, ndërtim e tregti, mirë vetëm shërbimet
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) ra me 2.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë. Me gjithë dinamikën rënëse, niveli i TBI-së qëndron mbi mesataren historike, me 3.2 pikë përqindje. Niveli më i ulët i treguesit i atribuohet kryesisht rënies së balancës së prodhimit, me 6.1 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël përkeqësimit të balancës tjetër përbërëse të tij, kontratave porositëse me 1.2 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca tjetër formuese e treguesit, gjendja e inventarëve2, u përmirësua lehtësisht me 0.4 pikë përqindje.
Një ecuri rënëse shfaqën edhe balanca të tjera të vrojtimit si: gjendja financiare, kontratat porositëse nga eksportet dhe pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm. Për sa i takon ecurisë së prodhimit në tremujorin e ardhshëm, bizneset e sektorit të industrisë presin përmirësim të tij. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi rreth 0.3 pikë përqindje më e ulët se një tremujor më parë. Kjo normë qëndroi rreth mesatares 76.7%, duke mbetur mbi nivelin e rezultuar në të njëjtin tremujor një vit më parë, me 2.7 pikë përqindje, dhe mbi mesataren historike të saj, me 4.0 pikë përqindje.
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) shënoi rënie me 1.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, por vijon të mbetet mbi mesataren historike të tij. Me gjithë rritjen e balancës së aktivitetit ndërtues me 1.6 pikë përqindje, dinamika e TBN-së u përcaktua nga rënia e balancës tjetër formuese të saj, kontratave porositëse, me 3.9 pikë përqindje. Rënie shënuan edhe balanca të tjera si gjendja financiare dhe punësimi. Ndërkohë, balanca e pritjeve për punësimin në të ardhmen dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rritën gjatë tremujorit në analizë. Për sa i takon normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, ajo rezultoi rreth 66.8%. Kjo normë është më e lartë si krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, me 6.8 pikë përqindje, ashtu edhe kundrejt mesatares historike të saj, me 3.0 pikë përqindje.
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) u rrit me 2.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë dhe mbetet mbi mesataren historike të tij. Përmirësimi i TBSH-së pasqyroi rritjen e të dyja balancave formuese të treguesit, ecurisë së biznesit dhe kërkesës, me përkatësisht 3.2 dhe 2.3 pikë përqindje. Në kahun rritës rezultoi edhe dinamika e balancave të tjera si pritjet për kërkesën dhe punësimin në tremujorin e ardhshëm.
Ndërkohë, balancat e punësimit, gjendjes financiare dhe normës së shfrytëzimit të kapaciteteve shënuan rënie në tremujorin në analizë. Megjithatë, bizneset e shërbimeve rezultojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë mesatare 78.3%, e cila qëndron 2.9 pikë përqindje mbi normën e shënuar të njëjtin tremujor një vit më parë dhe 2.2 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj.