MENU
klinika

Dyshimet

Çfarë fshehu prokurori i Tiranës? KPK konstatoi se…

05.07.2019 - 08:55

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime në lidhje me pasurinë dhe etikën e prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Zeqir Hoda.

Hetimi për këtë të fundit është bërë në të tri kriteret e rivlerësimit: atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Sipas raportit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, prokurori Hoda ka kryer deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin, ka pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurisë, nuk ka kryer fshehje apo deklarim të rremë, por se gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Ndërkohë, Komisioni ka kryer hetim të pavarur lidhur me deklarimet e pasurive të kryera nga prokurori Hoda.

Për një apartament me sipërfaqe 92 metra katrorë në Tiranë, të blerë në vlerën e 3.9 milionë lekëve në vitin 2001, prokurori Hoda ka deklaruar si burim të ardhurat familjare dhe ato nga shitja e një apartamenti në Kukës, 300 mijë lekë dhuratë nga babai dhe dy hua në vlerat 3000 dhe 4000 dollarë.

Ai ka deklaruar edhe një kredi në shumën 7 mijë dollarë.

Sipas KPK-së, babai i prokurorit Hoda nuk ka pasur mundësi për dhurimin e shumës 300 mijë lekë, sepse nuk rezulton e provuar me dokumentacion justifikues.

Komisioni ka konstatuar të njëjtën gjë edhe për huadhënësit. Komisioni ka gjetur probleme edhe në lidhje me një apartament tjetër me sipërfaqe 108.02 metra katrorë në Tiranë, të blerë për 75 mijë euro dhe të shlyer në vitin 2017, për të cilin prokurori Hoda ka deklaruar si burim krijimi kursimet nga pagat për periudhën 2004-2014 në shumën 20 mijë euro, një kredi në vlerën 50 mijë euro dhe 5 mijë euro kur të kalohej në pronësi.

Nga hetimi për këtë pronë u konstatua se ka mungesë të dokumentacionit justifikues për pagimin e këstit të parë 20 mijë euro. Ndërkohë, nga hetimi administrativ është zbuluar se prokurori Hoda ka aksione në shoqërinë “Albtelekom Sh.A”, blerë në vitin 2008 në vlerën e 50 mijë lekëve. Gjithashtu, edhe bashkëshortja e tij që ka punuar në këtë shoqëri ka rezultuar aksionere po në shumën 50 mijë lekë.

Relatorja Çiftja pohoi se referuar ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, Komisioni konstatoi se prokurori Hoda është në shkelje të ligjit të konfliktit të interesit lidhur me aksionet që zotëron në shoqërinë “Albtelekom Sh.A.”, pasi për shkak të detyrës që ai mban, nuk mund të lidhë kontrata me institucionet publike.