MENU
klinika

Reagimi

Dako ‘non grata’ në SHBA, Basha: Rama e mbron, bankomati i tij

30.07.2019 - 20:39

Kryetari i PD Lulzim Basha me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se shpallja non grata nga SHBA e Vangjush Dakos është një lajm i mirë për Shqipërinë.

Basha thotë se lajm i mirë është që Dako është shpallur non grata nga Amerika, por lajm i keq është që ai nuk ka dalë përpara drejtësisë. Për Bashën, drejtësia është e kapur nga Rama. Ai shtoi se duhet larguar Rama që të marrin fund lidhjet e politikës me krimin.

Postimi i Lulzim Bashës:

Është lajm i mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur non grata Vangjush Dakon për “përfshirje në raste të mëdha korrupsioni.” Është lajm i keq që Vangjush Dako nuk ka dalë akoma para drejtësisë për asnjë rast korrupsioni.

Vangjush Dako nuk është vetëm një politikan i korruptuar. Ai është pjesë e krimit te organizuar, në bashkëpunim me të cilin vodhi zgjedhjet për llogari të pushtetit të Edi Ramës. Si shpërblim, Vangjush Dako i dorëzoi krimit të organizuar kontrollin ekonomik dhe politik të Bashkisë së Durrësit.

Është lajm i keq që Vangjush Dako ka si mburojë paprekshmërie nga drejtësia kryeministrin e vendit, Edi Rama. Veprat e mëdha të korrupsionit janë bërë nën mbrojtjen, me dijeninë dhe për përfitimin e Edi Ramës. Është Edi Rama ai që e mbron Vangjush Dakon apo siç e quajnë miqtë e tij, bankomatin personal të parave të pista të Edi Ramës.

Përpara ligjit dhe Kushtetutës, Edi Rama zgjodhi gjithmonë Dakon, edhe kur gazeta gjermane BILD tregoi bashkëpunimin direkt me krimin e organizuar për të blerë zgjedhjet në 2017. Edi Rama i mbron kriminelët e tij, brenda dhe jashtë politikës, sepse ai e ka të qartë se as nuk e merr dhe as nuk e mban dot pushtetin pa krimin.

Prandaj, largimi i Edi Ramës është zgjidhja për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin, për të vënë qeverinë në interes të qytetarëve, jo të krimit dhe të oligarkëve me të cilët vjedh çdo ditë shqiptarët.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN