MENU
klinika

Rishikohet taksa mbi truallin

“Detyrohen” bashkitë, objektiv rritja e të ardhurave!

05.07.2019 - 17:16

Qeveria ka hedhur për konsultim planin e veprimit për decentralizmin dhe qeverisjen vendore duke vendosur objektiva të qarta për të 61 bashkitë të cilat duhet të realizohen deri në vitin 2022.

Konkretisht, bashkive u kërkohet që të rrisin të ardhurat, të zbatojnë sistemi e ri të taksës së pasurisë, të hartojnë një ligj specifik për taksën e ndërtesës në bazë vlere si dhe të përfundojnë kadastrën fiskale vendore, e cila është një ndër problemet kryesore për vjeljen e taksës së pronës me metodologjinë e re.

Po ashtu, deri vitin e ardhshëm kanë afat që të rishikojnë dhe ripërcaktojnë taksën mbi truallin urban dhe të konsolidojnë e qartësojnë kuadrin ligjor për taksat dhe tarifat vendore.

Pushtetit vendor i kërkohet gjithashtu rritja e shpërndarjes së taksave të ndara kombëtare dhe zbatimi i tatimit të ndarë të të ardhurave personale.

Këto objektiva strategjikë kanë si qëllim forcimin e financave vendore dhe autonomisë lokale, duke mos i bërë bashkitë të “varura” nga transferta e pakushtëzuar e buxhetit të shtetit.