MENU
klinika

Mblidhen serbët

Dorëheqja e Haradinajt/ Ja çfarë pritet të bëjë Vuçiç sot

20.07.2019 - 08:54

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do t’iu drejtohet sot serbëve lidhur me dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti e kryeministrit të Kosovës.

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit ka mbledhur të gjithë udhëheqësit serbë gjatë ditës së djeshme.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt është takuar me anëtarin serb të Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik, ministrin serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ministrin e Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç, drejtorin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç si dhe me sekretarin e përgjithshëm të Presidencës, Nikolla Selakoviç.

Pas këtij takimi, Vuçiç nuk reagoi fare për mediat. Ka qenë zyra për komunikim me publikun e Presidencës serbe që ka bërë të ditur se sot me fillim prej orës 10:00, Vuçiç pritet t’iu drejtohet qytetarëve rreth dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit gjatë ditës së djeshme pasi që ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Ndërkaq pas dorëheqjes së tij, ka pasur reagime të shumta si nga partitë në pushtet ashtu edhe nga partitë opozitare. Këto të fundit e edhe disa parti në pushtet kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të mos krijohet qeveri teknike.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pas dorëheqjes së kryeministrit, e gjithë qeveria bie.

Por, proceduralisht, pas dorëheqjes së kryeministrit, presidenti fillimisht bën konsultimet me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, për mandatimin e kandidatit të ri, për të formuar qeverinë e re.

Pas këtyre konsultimeve, presidenti e cakton mandatarin për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit.