Iker Casillas tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur, por jo nga ai i zyrave. Ish-portieri i Realit të Madridit dhe i Spanjës, aktualisht pjesë e Portos, do të jetë pjesë e stafit të klubit portugez, ose më saktë do të operojë si lidhje mes lojtarëve, trajnerit dhe bordit drejtues.
Porto gjithashtu ia ka lënë të hapur mundësinë që në një të ardhme të afërt, pasi të kalojë me sukses të gjithë fazën e shërimit pas sulmit në zemër që pësoi në fillim të majit, të marrë detyra të tjera drejtuese.
Casillas, 38-vjeç, deri ka luajtur në 156 ndeshje me Porton, që kur u shkëput nga Reali i Madridit në vitin 2015. Në 74 ndeshje portieri spanjoll e ka mbajtur portën të paprekur.
Ai dha ndihmesën e tij që Porto të fitonte kampionatin portugez në sezonin 2017-18 dhe Superkupën e Portugalisë në 2018-ën.
Sezoni i ri nis me shumë ndryshime në radhët e “dragonjve”. Janë larguar Militao, Felipe, Héctor Herrera, Maxi Pereira dhe Adrián, por kanë mbërritur Nakajima, Zé Luis, Luis Díaz, Sarabia, Loum dhe Marcano.
“Do të bëj diçka ndryshe nga ajo që kam bërë në fushë. Do të përpiqem të jem lidhja mes ekipit dhe klubit. Misteri më tha se dëshironte që të qëndroja me ekipin, pranë lojtarëve, pranë futbollistëve më të rinj, sepse do të ketë shumë ndryshime. Do të përpiqem të bëj më të mirën për të ndihmuar shokët e mi,” – deklaroi Casillas.