Pas tre ditësh kërkime është gjetur trupi i pa jetë i futbollistes shqiptare të lindur dhe rritur në Zvicër, Florijana Ismaili, që aktivizohej me Young Boys dhe kombëtaren helvete.
Ajo ishte zhdukur ditën e shtunë në Liqenin e Komos. Sipas asaj që shkruhet te “Corriere di Como”, zbulimi është bërë në një zonë të liqenit të thellë 204 metra.
Tani po tentohet të nxirret trupi në sipërfaqe. Edhe familjarët janë njoftuar për lajmin e kobshëm, një tragjedi e vërtetë.
Floriana, bashkë me shoqen e saj të ngushtë, kishin marrë një motoskaf me qira për të kaluar disa ditë relaks në Lario, Liqenin e Komos dhe ishin nisur nga Muso, duke e ndaluar motorrin 700 metra më tej.
Pak pas orës 16:00 të ditës së shtunë, futbollistja 24 vjeçare ishte hedhur për t’u freskuar, për të mos dalë më. Temperatura jashtë ishte 33 gradë, ndërsa në ujë shumë e ftohtë, diçka që i ka shkaktuar menjëherë një komplikacion.
E lindur në vitin 1994 në Valpersvil nga prindër me etni shqiptare, Florijana Ismaili ka lëvizur hapat e parë në skuadrën lokale nga viti 2006 deri në 2011, për të shkuar më pas te Young Boys duke u bërë edhe kapitene e ekipit.