MENU
klinika

Të dhënat e INSTAT

Efektet sezonale, euro nis rënien e fortë

24.07.2019 - 15:56

Monedha e përbashkët i është rikthyer rënies së fortë pas një periudhe kur ishte stabilizuar në rreth 122 lekë, duke reflektuar forcimin e efekteve sezonale, të pranishme gjithnjë në këtë periudhë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 121.74 lekë, duke shënuar një rënie prej 0.17 lekësh në raport me një ditë më parë. Që nga e enjtja e javës së kaluar kur u rrit në 122.3 lekë, monedha e përbashkët, ka rënë me 0.55 lekë.

Euro po i afrohet sërish nivelit më të ulët në 11 vjet, që është arritur në 19 qershor të këtij viti.Aktorët e tregut valutor pohojnë se arsyeja kryesore e kësaj rënieje lidhet me efektet sezonale, si të ardhurat nga turistët dhe shtimi i prurjeve të emigrantëve.

Të dhënat e INSTAT treguan së në 6 muajt e parë të këtij viti, numri i turistëve në vend ka arritur në nivel rekord, që kulmuan në qershor.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në qershor 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 630.334. Krahasuar me qershor 2018, ky numër është rritur me 27,0%. Vendin e parë e mbajnë shtetasit nga Kosova, me një rritje të ndjeshme prej 55% në raport me të njëjtin muaj të një viti më para.

Në total kanë hyrë 213.5 mijë shtetas nga Kosova. Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, ata janë dyndur në plazhet e Shqipërisë, duke shfrytëzuar sidomos fundjavat. Në vend të dytë janë maqedonasit, me rreth 68 mijë hyrje dhe rritje 14,3%. Nga Greqia kanë hyrë 10% shtetas më shumë (rreth 46 mijë).

Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar edhe të italianëve, hyrjet e të cilëve u rritën me rreth 9% (41.5 mijë). Rritje të ndjeshme kishin turistët nga Anglia, me 34% (14.3 mijë) dhe sidomos nga Mali i Zi me 35% (rreth 38 mijë hyrje). Të ardhurit nga Zvicra u rritën ndjeshëm me rreth 55%, por gjithsesi ata mbetet shumë të paktët në numër, në rreth 5 mijë persona.

Ky fluks i vizitorëve të huaj ka rritur dhe ofertën e valutës në vend, duke ndikuar në forcimin e euros. Përgjithësisht tendenca pritet të vazhdojë dhe ne gusht, ku krahas turistëve në vend kthehen edhe emigrantët, një tjetër faktor që nxit ofertën për valutë në vend.

Për periudhën 3 janar-24 korrik të këtij viti, kursi mesatar i këmbimit është 124.5 lekë, nga 127.6 që ishte mesatarja e vitit të kaluar duke u luhatur në nivelin më të ulët që nga 2008-a./ Monitor