Gjerasim Qiriazi (1858-1894), babai i Kishës Protestante Shqiptare, është një nga personalitetet e Rilindjes Kombëtare, që e shkriu jetën në të mirë të kombit.
Jeta e tij është sa heroike e krenare, aq edhe e dhimbshme dhe e perëndishme. Përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin grek me rezultate të shkëlqyera. Ndërkohë dy misionarë protestantë amerikanë kishin ardhur në Manastir dhe ishin komshinj me familjen Qiriazi.
Gjerasimi filloi të shkonte në shërbesat e tyre, njëkohësisht filloi të frekuentonte kurset e gjuhës angleze që drejtoheshin nga misionarët amerikanë. Aftësia e Gjerasimit për të mësuar, u bëri përshtypje misionarëve, të cilët e inkurajuan të vazhdonte studimet 4-vjeçare në Kolegjin Teologjik Amerikan në Samokovë të Bullgarisë.
Pas diplomimit, Gjerasimit i ofruan të punonte në “Shoqërinë Biblike Angleze dhe të Huaj”, shoqëri e cila merrej me përkthime, botime dhe shpërndarje të librave të shenjtë të besimit të krishterë. Ishte koha kur Gjerasimi filloi të predikonte Ungjillin në shqip në krahina të ndryshme të Shqipërisë, si dhe në Manastir e Selanik. Ai kompozonte këngë, përkthente në shqip pjesë nga librat e shenjtë dhe shkruante poezi në shqip, të cilat u botuan më vonë në vitin 1924: “Këngë të shenjtëruara për faltoret shqipe”.
Me sugjerimin e Naim Frashërit, Gjerasimi bën transkriptimin dhe botimin e 5 librave të parë të Biblës si tekste shkollore.
Në vitin 1887, përgatiti për botim “Ungjillin” e Mateut në gjuhën shqipe. Në vitit 1893, themeloi në Korçë “Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë”, ndërsa po në atë vit themelohet Kisha Ungjillore e Korçës. Synimi ishte që bashkëkombësit e tij, që u predikohej vetëm greqisht, tani fjalën e Zotit ta dëgjonin në gjuhën e bukur të tyre, në shqip, që, deri në atë kohë, mallkohej e ndalohej nga Patrikana greke dhe pushtuesit turq.
Motoja e veprimtarisë së Gjerasim Qiriazit ishte: “Miq për Perëndinë, Dritë për Popullin, Uratë për mëmëdheun”. Gjatë një vizite në Stamboll, me ndihmën e Naim Frashërit, siguroi një leje perandorake “irade”, për të hapur një shkollë shqipe për vajza. Hapja e shkollës në gjuhën shqipe u kundërshtua nga Peshkopi Ortodoks. Si rrjedhim, ditën e parë të shkollës në tetor të vitit 1891 erdhën vetëm tri vajza, por puna këmbëngulëse e Gjerasimit dhe Sevastisë bëri që brenda vitit numri i tyre të rritej në 27.
Bëhet autori i një gramatike të gjuhës shqipe; shkruan pjesë leximi, vjersha e këngë të përpunuara nga ana metodike, të thjeshta e të kuptueshme nga nxënësit, me përmbajtje që përshkohej nga morali i lartë dhe patriotizmi. Vajzat mësonin përmendësh vjershat e bukura të Gjerasimit, këngët dhe lojërat.
Shumica e këtyre shkrimeve u mblodhën dhe u botuan në Sofje, në vitin 1902, pas vdekjes së Gjerasimit, nga i vëllai i tij, Gjergj Qiriazi, nën titullin “Kristomaci”, një përmbledhje vjershash, këngësh, tregimesh, përrallash, dialogësh etj., të shkruara me një stil të thjeshtë popullor, të kuptueshëm e interesant për çdo shtresë të shoqërisë shqiptare, sidomos për fëmijët e moshës shkollore. Është me interes të theksojmë, se edhe pse ka kaluar më shumë se një shekull nga botimi i parë, edhe sot përmbajtja e “Kristomaci” ka jo vetëm vlera historike, por edhe vlera aktuale edukimi.
Shkolla e Vashave në Korçë, për nga qëllimet, përmbajtja, organizimi dhe për kohën që funksionoi, nuk ishte një institucion i thjeshtë arsimor. Faktikisht, ishte një proces i madh dhe i thellë i qytetërimit të gruas shqiptare. Gjergj Qiriazi, në vitin 1891, kur flet për rolin e kësaj shkolle e përcakton misionin e saj: “…Të zgjojë kombin nga gjumi i thellë dhe të shkojë përpara në qytetërim, njëlloj si popujt e tjerë”.
Në vitin 1893, Edit Durham, në librin “Brenga e Ballkanit” shkruan: “Në shkollën shqipe të vajzave m’u bë një pritje e ngrohtë. Shkolla ishte aq moderne, sa m’u duk sikur befas isha kthyer prapë në Evropë”. Mihal Grameno e quan këtë shkollë “Fole kombëtare”. Ajo rrezatonte edhe përtej mureve të saj.
Xhevat Lloshi, gjuhëtari dhe profesori i mirënjohur, duke folur për ndikimin e jashtëzakonshëm që pati kjo shkollë në të gjithë Shqipërinë thekson: “Shkolla e vajzave nuk ishe një kandil i vetmuar, por u rrethua nga dritat që ndizeshin herë të hapura e herë të mbuluara në gjithë Shqipërinë e jashtë saj”.
Dhe më poshtë vazhdon:“…me këtë shkollë u çel agimi i qytetërimit të gruas shqiptare, edhe vetë Shqipëria hodhi një hap që të bëhej Evropë, ndërsa kjo tingëllon me jehona në ditët e sotme, kur përditë përsërisim se po bëjmë gjithçka për të hyrë në Evropë”.
Veprimtaritë armiqësore të pushtuesve turq dhe të shovinistëve, por edhe të fanatikëve e reaksionit shqiptar, bënë gjithçka për ta shkatërruar këtë fole të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare shqiptare.
Nuk u kursyen shpifjet, kërcënimet, shantazhet, komplotet, gjyqet, burgosjet, mallkimet, shkishërimet, përndjekjet e deri në atentatet. Në tetor 1892, Peshkopi i Korçës lëshoi mallkimin dhe shkishërimin për Gjerasim Qiriazin, ndërsa në janar 1893 u bë një tentativë për ta vrarë.
Të gjitha këto përpjekje armiqësore dështuan në saje të këmbënguljes dhe guximit që treguan krijuesit dhe frymëzuesit e kësaj shkolle, si dhe përkrahjes që patën ata nga popullsia shqiptare e etur për dije, kulturë dhe liri.
Gjerasimit i keqësohet shëndeti, falë edhe pneumonisë që kishte marrë në periudhën që ishte peng i kaçakëve, dhe ndërroi jetë në 2 janar 1894, në moshën 35-vjeçare.
Në vitin 1987, Gjerasimit i jepet (post mortum) titulli i lartë “Mësues i Popullit”, ndërsa në vitin 1992, i jepet “Urdhëri i Lirisë i Klasit të Parë”.