Rritja e çmimeve vijoi me ritme të ulta edhe në muajin qershor vetëm me 1.3 %. Rritja i udhëhoq nga çmimet e ushqimeve të cilat përbënë 70 për qind të inflacionit të qershorit.
Burimet nga tregu pohojnë se çmimet e ulta janë pasojë e konsumit të dobët nga njëra anë dhe prodhimit bujqësor të bollshëm nga ana tjetër.
INSTAT raportoi sot se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Qershor 2019 është 1,3 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,4 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Qershor 2019, krahasuar me Maj 2019, është – 0,3 %.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin Qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,01 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,16 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,05 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,04 pikë përqindje.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Qershor 2018, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,4 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,3 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,8 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,7 % secili, “Veshje dhe këpucë” me 0,2 %, etj.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,6 %, pasuar nga grupi “Argëtim dhe kulturë” me 0,1 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 12,6 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,4 %, “zarzavate përfshirë patatet”me 1,6 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me 1,3 %, etj.
Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 0,6 %. Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Maj 2019, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 0,7 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,2 %, “Shëndeti” me 0,1 %.
Ndërsa, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 0,5 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë”, “Transporti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2 % secili, etj.