Ndonëse kaloi Vettingun, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkon ankimimin e vendimit të KPK për kreun e Gjykatës Administrative të Apelit Kastriot Selita.
Në datë 18.6.2019, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Kastriot Selita, gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
Vendimi nr. 161, datë 18.6.2019, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë z. Kastriot Selita, iu njoftua Komisionerëve Publikë sot, më datë 24.7.2019.
Po sot, më datë 24.7.2019, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar këtë vendim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar në të njëjtën kohë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.