MENU
klinika

Yndyra, armiku numër 1 i diabetit

Kjo është sasia që ju vë në rrezik të kësaj sëmundjeje!

20.07.2019 - 15:00

Yndyra e tepërt në trup është faktori numër një i rrezikut për diabetin e Tipit 2; më shumë se 90 për qind e atyre që e kanë këtë sëmundje, janë mbi peshë.

Po ç’lidhje ka mbipesha me diabetin? Alo lidhet pjesërisht me një fenomen që njihet si efekti i tepricave.

Ndërsa rriteni, numri i qelizave yndyrore në trup, çuditërisht nuk ndryshon shumë dhe nuk ka rëndësi se sa peshë merrni apo humbni. Kur trupi merr peshë, ato vetëm sa bymehen me yndyrë, kështu që kur vini shëndet në bark, nuk do të thotë që domosdoshmërisht po formohen qeliza të reja yndyrore, thjesht po dendni me yndyrë qelizat ekzistuese.

Te njerëzit mbipeshë dhe obezë, këto qeliza mund të fryhen aq shumë, sa të përcjellin yndyrë në gjak, duke shkaktuar të njëjtin bllokim insuline, që dikush do të pësonte nga ngrënia e një vakti të pasur me yndyrë.

Fare mirë mjekët mund ta masin nivelin e yndyrës së lirë që qarkullon në gjak.

Normalisht, ai është mes 100 dhe 500 mikromol për litër, por njerëzit obezë kanë nivele gjaku midis 600 dhe 800 mikromol për litër. Njerëzit që konsumojnë ushqime me pak karbohidrate dhe shumë yndyrë, mund të arrijnë po këto nivele të larta.

obeziteti-konica.al

Madje, edhe një njeri i zakonshëm që ndjek një dietë të pasur me yndyrë mund të arrijë nivelin 800, kështu që ky numër kaq i lartë nuk është vetëm për obezët. Për shkak se ata konsumojnë ushqime të pasura me yndyrë, përthithin shumë yndyrë dhe niveli i saj në gjak, është po aq i lartë sa i një njeriu obez.

Pra, të qenët obez mund të jetë njësoj si të hash si i babëzitur gjithë ditën proshutë dhe gjalpë, edhe nëse jeni duke u ushqyer shëndetshëm.

Kjo ndodh sepse trupi i një njeriu obez, gjatë gjithë kohës derdh yndyrë në gjak, pavarësisht se çfarë ha. Pavarësisht nga burimi i yndyrës në gjak, kur nivelet e saj rriten, aftësia juaj për të pastruar sheqerin bie, për shkak të rezistencës ndaj insulinës, që është edhe shkaku i shfaqjes së diabetit të Tipit 2.

Nga ana tjetër, njerëzit që ndjekin një dietë me bazë bimore, kanë vetëm një lëvizje të vogël të shkallës së diabetit, që zakonisht haset tek ata që konsumojnë edhe mish. Siç mund ta shikoni në figurën 1, sa më shumë bimë të përfshini në dietën tuaj, aq më shumë bie norma e diabetit.

Bazuar në studimin e 89 000 kalifornianëve, fleksitarianët duket se e ulin shkallën e diabetit me 28 për qind. Ky është një lajm i mirë për ata që konsumojnë mish vetëm një herë në javë dhe jo çdo ditë. Ata që nuk konsumojnë asnjë lloj mishi përveç peshkut, duket se i përgjysmojnë normat. Po ata që i eliminojnë të gjitha llojet e mishit, duke përfshirë edhe peshkun? Ata duket se e eliminojnë rrezikun me 61 për qind. Po ata që shkojnë dhe një hap më tej dhe heqin dorë nga vezët dhe prodhimet e bulmetit?

Ata i ulin normat e diabetit me 78 për qind, krahasuar me ata që konsumojnë mish çdo ditë.