MENU
klinika

Ristrukturohen zyrat e punës

Krijohet Agjencia për Punësim dhe Aftësi!

03.07.2019 - 18:43

Ministria e Financave ka përgatitur disa ndryshime në strategjinë për punësimin. Ndryshimet që janë shtruar për konsultim publik parashikojnë ndër të tjera edhe krijimin e Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi (AKPA).

Kjo agjenci do të ketë funksionin e një institucioni përgjegjës për administrimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e politikave të punësimit dhe menaxhimit të ofruesve publike të AFP -së. Në bazë të hartimit të një plani të burimeve njerëzore dhe të zhvillimit të kapaciteteve të tyre në përputhje me funksionet dhe rolet e saj, kjo agjenci do të rikonceptojë modernizimin e zyrave të punës, sistemin e shërbimeve të punësimit, programin e nxitjes së punësimit si dhe administrimin e shkollave të formimit profesional e qendrave të formimit dhe aftësimit profesional.

Zhvillimi i kapaciteteve të stafit të AKPA-s sipas roleve dhe funksioneve të reja, do të financohet nga buxheti i alokuar sipas funksioneve të institucionit përgjegjës për zbatimin e politikave të punësimit dhe menaxhimin e ofruesve të AFP-së.

Stafi i kësaj agjensie do të merret me ngritjen e një databaze për Kombëtare për Sindikatat, Organizatat e Punëdhënësve, marrëveshjet kolektive e aksesueshme nga aktorë të ndryshëm si: SHKP/AKPA, IshPShS dhe partnerët socialë.

Gjithashtu, krijimi i Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi, ka si synim, ngritjen e një rrjeti shtetëror të ndërmjetësimit dhe ngritjen e zyrave të pajtimit; ngritjen e kapaciteteve të zyrave të ndërmjetësimit dhe pajtimit për zbatimin e rolit dhe përgjegjësive bazuar në VKM-në përkatëse; organizimin e fushatave ndërgjegjësuese për partnerët socialë lidhur me legjislacionin e punës; ngritjen e sistemit informatik për regjistrimin e të gjitha mosmarrëveshjeve kolektive të punës në nivel qendror dhe nivel rajonal, si dhe organizimin e fushatave ndërgjegjësuese për partnerët socialë lidhur me legjislacionin e punës.