Telenovelës i erdhi fundi vetëm pak kohë më parë, Antoine Griezmann u bë zyrtarisht lojtar i Barcelonës.
E sigurt? E çuditshme çfarë po ndodh me francezin, që i është bashkuar skuadrës “blaugrana” në stërvitje e madje ka luajtur edhe në miqësoren e parë verore, pikërisht në humbjen 2-1 me Chelsea-n. Nga Spanja raportojnë se fjalën e fundit për transferimin e tij nga Atletico te Barcelona do ta thotë La Liga.
Pra, nëse sulmuesi do të mund të luajë në ndeshjet zyrtare të Barcelonës, apo do të pranohet ankesa e Atleticos, që vazhdon të kërkojë me ngulm që klubi katalan duhet të paguajë jo 120 por 200 milionë euro për kartonin e tij.
Javier Tebas, numri 1 i kampionatit spanjoll, ka konfirmuar se ende nuk është thënë fjala e fundit. La Liga ka mundësi ta bllokojë transferimin, asaj i duhet të vendosë se cilën anë do të mbajë.
“Atletico ja paraqitur një protestë me shkrim, duke vënë në dyshim mundësinë për t’i dhënë Barcelonës kartonin e futbollistit. La Liga ka mundësi ta bllokojë blerjen e Griezmann nga Barcelona. Është një mekanizëm që është vënë në lëvizje dhe do të jenë organet përgjegjëse që do ta zgjidhin situatën.
Nuk e di nëse është thyer rregulli nga Barcelona, por po merret në konsideratë që Atletico të ketë mundësi të mbrojë të drejtat e saj. Klubi madrilen këmbëngul se ka prova. Është një situatë e komplikuar juridike, që sigurisht nuk do të marrë fund në ditët e ardhshme, përkundrazi, do të duhet kohë.”, tha Tebas.
Por çfarë do të ndodhë ndërkohë? Do t’i jepet leje e përkohshme sulmuesit për të luajtur me Barcelonën? Apo francezi nuk do të mund të zbresë në fushë në ndeshjet zyrtare në Spanjë derisa të ketë një vendim përfundimtar?
Këtyre pyetjeve Tebas nuk u jep përgjigje, por sigurisht që çështja do të marrë kohë që të zgjidhet përfundimisht.