MENU
klinika

Liruan të "tmerrshmin" e Beratit

Arrestohet drejtori i burgut të Lushnjes

30.07.2019 - 10:31

Drejtori i burgut të Lushnjes dhe një punonjës janë arrestuar, pasi akuzohen se kanë liruar para shlyerjes së dënimit, Lulzim Cakën.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja Etilda Gjonaj përmes një deklarate për mediat.

Ajo bëri me dije se Lulzim Caka është liruar 4 muaj e 22 ditë para kohe, për shkak të përllogaritjes në mënyrë të gabuar nga ana e kartelistit të IEVP Lushnjë dhe lëshimit të urdhrit të lirimit në mënyrë të kundraligjshme nga Drejtori i IEVP Lushnjë.

Si pasojë, janë arrestuar Judmir Shurdhi me detyrë Drejtor i IEVP-Lushnjë, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe Llazar Mino, me detyrë kartelist pranë IEVP Lushnjë.

Gjonaj tha më tej se ëshët njoftuar Policia e Shtetit për revokimin e lirimit të të Lulzim Cakas dhe shpalljen e tij në kërkim për t’a rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

I dënuar me 25 vite burg, Lul Caka i njohur me nofkën i “tmerrshmi” i Beratit u lirua dje nga qelitë e burgut.

Deklarata e plotë:

Dje në mbremje, me informacion në rrugë operative nga Shërbimi i kontrollit të Brendshëm të burgjeve, jam vënë në dijeni me dyshimin e lirimit para kohe nga IEVP Lushnjë, të të dënuarit Lulzim Caka, i dënuar me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e disa veprave penale.

Menjëherë sapo kam marrë dijeni, kam urdhëruar verifikimin dhe hetimin e çështjes me grup të përbashkët hetimi nga Drejtoria e përgjithshme e burgjeve, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje (SHKBB) dhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë.

Grupi i hetimit, gjatë orëve të natës ka kryer veprimet hetimore dhe proceduriale, në administrimin e provave, pyetjen e stafit administrativ, drejtorin e IEVP Lushnjë, kartelistin pranë këtij institucioni, shqyrtimin e dokumentacionit në IEVP Lushnjë dhe dosjes penale të të dënuarit Lulzim Caka.

Në përfundim të këtyre hetimeve, ka rezultuar se shtetasi Lulzim Caka është liruar nga IEVP-Lushnjë 4 muaj e 22 ditë përpara shlyerjes së plotë të dënimit, për shkak të përllogaritjes në mënyrë të gabuar nga ana e kartelistit të IEVP Lushnjë dhe lëshimit të urdhërit të lirimit në mënyrë të kundraligjshme nga Drejtori i IEVP Lushnjë.

Si rezultat i shkeljeve të evidentuara, në orët e para të mëngjesitShërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve kreu arrestimin në flagrancë të:

1. Judmir Shurdhi me detyrë Drejtor i IEVP-Lushnjë, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

2. Llazar Mino, me detyrë kartelist pranë IEVP Lushnjë.

Ata akuzohen se kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal dhe “Falsifikim të dokumenteve” parashikuar nga neni 186 /3 i Kodit Penal. Materialet i janë referuar menjëherë Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Elbasan.

Po gjithashtu kam urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të dy punonjësve të përfshirë në këtë ngjarje.

Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është njoftuar menjëherë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Policia e Shtetit për revokimin e lirimit të të dënuarit Lulzim Caka dhe shpalljen e tij në kërkim për t’a rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Po sot kam urdhëruar, ngritjen e një grupi hetimi për verifikimin e të gjitha dosjeve dhe dokumentacionit përkatës në rastet e lirimit të të dënuarve në të gjitha Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Qeveria dhe personalisht si Ministre e Drejtësisë jam e vendosur që të mos bëj asnjë lëshim dhe të vendos përpara përgjegjësisë këdo që shkel ligjin pasi gur i themelimit në mbarëvajtjen e organeve ligjzbatuese është zbatimi në mënyrë rigoroze e ligjit dhe administrimit të procesit.

Në ditët që pasojnë do të realizoj një proces rivlerësimi për të gjithë trupën drejtuese të burgjeve dhe shefave të policisë si dhe ndërmarrjen e një procesi të ri për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet, në pozicione drejtuese, detajet e së cilës do ti bëj shumë shpejt të ditura.

Kryeson Lezha, ja qyteti që mbetet në fund

Cili qark është më kursimtari këtë vit?

U shpallën në kërkim pas protestës së opozitës në Elbasan

Ndalohen nga policia kryetarët e PD-së dhe PL-së në Pogradec

Preferohet për historinë, kulturën, traditat dhe kulinarinë!

Shqipëria, destinacioni i të huajve edhe në vjeshtë