Gabimet e vazhdueshme drejtshkrimore në tabelat e institucioneve në Maqedoninë e Veriut tregojnë se gjuha shqipe nuk respektohet siç duhet.
Si rezultat gjuha shqipe vazhdon të bastardohet gati nga të gjitha institucionet e vendit.
I tillë është edhe rasti i sinjalizuar nga një mjek shqiptar që punon në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, saktësisht në Repartin e Kirurgjisë së Fëmijëve.
Rasti ka të bëjë me një tabelë orientimi të vendosur aty ku në gjuhën shqipe shkruan:
“Universiteti instituti për Radiologjisë” që nuk ka asnjë kuptim si nga ana sintaksore por edhe morfologjike, ashtu siç shihet edhe qartë në fotografinë e dërguar pranë redaksisë sonë, raporton Alsat.
Nuk dihet kush i përkthen apo kush i kontrollon momentalisht këto përkthime, korrigjimi i të cilave më pas ka kosto shtesë.