Inter e Juventus janë gjithmonë “në luftë”, madje edhe pa filluar kampionati, ku dueli është zhvendosur në merkato, me dy skuadrat që kanë si objektiv të përbashkët sulmuesin belg Romelu Lukaku.
Ky i fundit kërkon largimin nga Manchester United pasi nuk shihet si titullar nga Solskjaer dhe i ka dhënë fjalën Antonio Contes për t’iu bashkuar Interit, por mungesa e akordit mes zikaltërve dhe “djajve të kuq”, ka bërë që në lojë të hyjë Juventusi.
Bardhezinjtë kanë ofruar një shkëmbim kokë më kokë me Paulo Dybalën, duke qenë se argjentinasi nuk shihet si titullar nga Sarri, por preferohet shumë nga trajneri norvegjez i Manchesterit, ndonëse prioritet për Lukakun momentalisht është Interi.
Dhe për të shmangur çdo surprizë të pakëndshme, Giuseppe Marotta po planifikon një lëvizje të dyfishtë në këtë fillim jave, për të sistemuar sulmin e Interit dhe për të “djegur” dy objektivat e Juventusit, Icardin e Lukakun.
Kështu drejtuesi zikaltër pritet të takohet nesër me Aurelio De Laurentiis dhe është gati të favorizojë kalimin e Icardit te Napoli, me qëllim që më pas me paratë e ardhura nga argjentinasi, të bëjë sulmin final për të sjellë në Milano belgun e Manchester United.
Ish kapiteni i Interit tashmë ka kaluar në prioritet për napolitanët, që kanë dështuar në objektivat për të afruar James Rodriguez dhe Nicolas Pepe, ndaj duan të kënaqin Ancelottin me Icardin, për të cilin janë gati të ofrojnë deri në 65 milionë euro.
Vendimtare për nisjen e një negociate reale, do të jetë dita e nesërme, kur në zyrat e Federatës Italiane të Futbollit do të mblidhen drejtuesit e klubeve, për të hedhur shortin për sezonin e ri dhe ku natyrisht që Marotta e De Laurentiis do të negociojnë për transferimin e Icardit te napolitanët.