Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot në një ceremonie të veçantë, ish-futbollistin e shquar të Ekipit Kombëtar shqiptar dhe të “Dinamo-s”, Mujo Targaj me Titullin “Mjeshtër i Madh”.
Në prani të shumë personaliteteve sportive, të kolegëve dhe trajnerëve, Presidenti Meta i dorëzoi ish-kapitenit legjendar të ekipit kryeqytetas të futbollit të viteve 1980-të, titullin e lartë me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm në futboll, si një nga kapitenët më të spikatur të ‘Dinamos’ dhe Ekipit Kombëtar. Gjithmonë shembull i korrektësisë dhe etikës në fushën e blertë”.
Në fjalën e Tij përshëndetëse Presidenti i Republikës theksoi se Mujo Targaj është një nga personalitetet e sportit për të cilin ka pasur një adhurim të pakufishëm, si të gjithë sportdashësit shqiptarë, pa dallim preference të ndonjë ekipi.
“Së pari do të falënderoja në mënyrë të veçantë familjen e Mujos, e cila i ka dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme për të qenë ai që ne e nderojmë dhe e adhurojmë sot. Çfarë mund të ëndërronte më shumë një fëmijë nga Tepelena, ku nuk kishte fushë futbolli dhe që bënte çdo ditë bënte 7-8 kilometra për të luajtur futboll në Memaliaj, fshehurazi babait të tij, që pak vite më vonë t’i bashkohej Dinamos së famshme të Iljaz Çeços dhe të bëhej kampion në një moshë mjaft të re, 17-18-vjeçare.
Apo të ishte titullar në një Dinamo tjetër shumë të madhe të Përnaskës, Zërit e Ballgjinit e të linte prapa një trashëgimi, për një Dinamo shumë të madhe, atë të Sulejman Demollarit!
Çfarë mund të arrinte më shumë një fëmijë nga Tepelena se sa të bëhej titullar dhe kapiten i Ekipit Kombëtar.
Mujo Targaj është i qetë dhe nuk flet shumë, sepse i ka thënë të gjitha me punën dhe kontributin e tij të shkëlqyer, jo vetëm me Dinamon, ku ka qenë 5 herë kampion i vendit dhe 3 herë fitues i Kupës së Republikës, por edhe me Ekipin Kombëtar. Aq më tepër t’i shënonte gol kampionit të botës, Shumakerit të frikshëm dhe në këtë mënyrë të hapte portën e golave të tjerë të Shqipërisë kundër Gjermanisë së madhe”, tha Meta.
Ndaj, shtoi ai, të gjithë ne jemi këtu për të nderuar pasionin, këmbënguljen, profesionalizmin edhe atdhedashurinë e Mujo Targajt përgjatë gjithë asaj karriere të jashtëzakonshme dhe të papërsëritshme.
“Të mos harrojmë, një mbrojtës që luajti në çdo pozicion dhe në 15 vite nuk mori asnjëherë një karton të kuq. Është një rast i rrallë që tregon se ai ishte shembulli i korrektësisë dhe i hijeshisë në fushën e blertë.
Nuk kam folur me Mujon nëse ai i ka lexuar apo jo 14 rregullat bazë të Johan Krujfit për futbollin. Unë jam bërë që fëmijë tifozë me Holandën prej Krujfit të madh, por më pas e kam dashur edhe më shumë Krujfin edhe pse nuk doli asnjëherë kampion bote, sepse ndryshoi futbollin si rrallëkush tjetër. Dhe ai ka një filozofi të jashtëzakonshme: nuk është e rëndësishme vetëm të fitosh, por edhe se si fiton. Dhe në 14 rregullat bazë të tij, nuk po i lexoj të 14-ta, por te Mujo të 14-ta janë, por me të parin dhe të fundin.
E para është ‘shpirti i ekipit’, pra ‘team player’ dhe e fundit që i shkonte dhe Mujos aq shumë është ‘bring beauty to the sport’. Po ta shqipëroj tamam është ‘jepi hijeshi sportit’, ‘jepi hijeshi futbollit’.
Dhe ne prandaj edhe e duam dhe e nderojmë këtë personalitet të veçantë, të jashtëzakonshëm, që ka krijuar dhe ka gdhendur në memorien e sportdashësve figurën e tij të rrallë, unike dhe të veçantë, sepse i ka dhënë hijeshi futbollit si në fushën e blertë me Dinamon, ashtu edhe ekipet kombëtare dhe ka lënë një trashëgimi mjaft pozitive për të gjithë”, deklaroi Presidenti.
Ai tha se ne duam që këtë model t’ua bëjmë të ditur fëmijëve në të gjithë Shqipërinë, se nëse duan të arrijnë diçka dhe të jenë dikush në jetë dhe në shoqëri, nuk duhet t’i braktisin kurrë ëndrrat dhe pasionet e tyre.
“Nuk duhet t’u dorëzohen vështirësive dhe sidomos veseve që në kohët tona janë një rrezik i madh për fëmijët edhe të rinjtë. Dhe në rast se do t’i qëndrojmë besnik ëndrrave të tyre ata do t’i realizojnë dhe do të jenë një e mirë, por edhe do të jenë një burim frymëzimi për shoqërinë, për të rinjtë dhe për fëmijët në të ardhmen. Faleminderit edhe njëherë, Mujo Targaj! Të duam shumë!
Këto ditë kam folur me shumë miq e shokë, të cilët kanë preferenca të ndryshme, tifozë të Tiranës, të Partizanit apo edhe ekipeve të tjera. Kur ka rënë fjala për këtë ceremoni vlerësimi, të gjithë kanë patur një konsensus të jashtëzakonshëm, një adhurim dhe një respekt për këtë figurë e personalitet që ti e ke gdhendur me aq sakrifica dhe dinjitet në fushën e blertë. Sidomos kur vëmë përballë medaljeve e titujve të Mujo Targajt, modestinë e tij”, u shpreh Meta.