MENU
klinika

Letra e plotë

Meta zbardh letrën për OSBE: Zgjedhjet e lira, zgjidhja e krizës

26.07.2019 - 18:51

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zbardhur letrën drejtuar kryetarit të OSBE, Miroslav Lajçak, dhe Sekretarit të përgjithshëm të OSBE, Thomas Greminger, lidhur me krizën e thellë politike në Shqipëri.

Ndër të tjera, Kreu i Shtetit thekon se zgjedhjet e lira janë kyçe për zgjidhjen e krizës, ndërsa iu kërkon zyrtarisht krerëve të OSBE të ndërmjetësojnë një dialog politik gjithëpërfshirës në Shqipëri.

“Në këtë kuadër dhe në cilësinë e Presidentit të Republikës, institucioni që përfaqëson unitetin e popullit shqiptar, do të doja t’i kërkoja zyrtarisht OSBE-së që të ndërmjetësojë një dialog politik gjithëpërfshirës në Shqipëri, me qëllim arritjen e një zgjidhje të gjithanshme, e cila të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm e krizës aktuale politike, institucionale dhe sociale në vend. OSBE-ja është institucioni i duhur për ta ndihmuar Shqipërinë në këto çaste kritike”, shkruan mes të tjerash Meta.

  • Letra e plotë:

Shkëlqesi,

Ishte kënaqësi të takohesha me ju në Tiranë, respektivisht më 3 qershor dhe 25 korrik. Teksa Shqipëria po përjeton një krizë institucionale dhe përfaqësuese serioze e në të njëjtën kohë, po përgatitet të marrë kryesimin e OSBE-së, e vlerësoj sinqerisht vëmendjen e madhe me të cilën organizata juaj dhe ju personalisht, po ndiqni zhvillimet që po ndodhin dita-ditës në vendin tonë.

OSBE-ja mundet dhe duhet të luajë një rol më aktiv në këtë drejtim. Gjatë takimit tonë të fundit dhe produktiv me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së në Tiranë, ramë dakord se stabiliteti dhe uniteti kombëtar janë kyçe për përparimin dhe kryesimin e suksesshëm të OSBE-së më 2020-n nga ana e Shqipërisë.

Në këtë kuadër dhe në cilësinë e Presidentit të Republikës, institucioni që përfaqëson unitetin e popullit shqiptar, do të doja t’i kërkoja zyrtarisht OSBE-së që të ndërmjetësojë një dialog politik gjithëpërfshirës në Shqipëri, me qëllim arritjen e një zgjidhje të gjithanshme, e cila të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm e krizës aktuale politike, institucionale dhe sociale në vend. OSBE-ja është institucioni i duhur për ta ndihmuar Shqipërinë në këto çaste kritike.

Siç ju kam njoftuar edhe në disa raste të mëparshme, kriza politike në Shqipëri po thellohet dita-ditës. Tensionet politike dhe shoqërore po rriten, ndërsa polarizimi mes palëve kundërshtare po përshkallëzohet gjithnjë e më tepër. Shqipëria aktualisht po përjeton një situatë të rrezikshme dhe të pashembullt politike, ku shumica qeverisëse në pushtet kërkon të shtijë në dorë politikisht të gjitha institucionet e kontrollit dhe balancimit të pushtetit, ndërsa opozita kërkon delegjitimitetin e institucioneve.

Përshkallëzimi i mëtejshëm i krizës ka gjasa të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor e më gjerë. Këshilli Evropian pritet që të marrë një vendim më 17-18 tetor 2019 për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Mbetet ende i paqartë nëse do të merret një vendim pozitiv apo jo. Për më tepër, çdo përshkallëzim i krizës do të kompromentonte rëndë kredencialet e Shqipërisë si kryesuese e radhës e OSBE-së dhe aftësinë e saj për të drejtuar këtë organizatë në mënyrë të efektshme vitin e ardhshëm.

Nga këndvështrimi im, zgjidhja e vetme e kësaj krize është mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, gjithashtu të domosdoshme për kredencialet demokratike të Shqipërisë, të cilës i është besuar kryesimi i ardhshëm i Organizatës sonë.

OSBE-ja, si një forum për dialog dhe bashkëpunim, luan një rol kyç në promovimin e paqes dhe sigurisë në hapësirën euroatlantike. Mbështetja e saj ndaj rrugëtimit të Shqipërisë drejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës përgjatë tri dekadave të shkuara ka qenë shumë e rëndësishme. OSBE-ja ishte në fakt, organizata e parë shumëpalëshe, në të cilën Shqipëria aderoi pas rënies së sistemit komunist. Në këtë prizëm, besoj se është në interesin më të mirë të OSBE-së që të angazhohet në mënyrë aktive për të zgjidhur dhe kapërcyer krizën në Shqipëri. Duke vepruar në këtë mënyrë, OSBE-ja do të forconte besueshmërinë e saj si një organizatë efektive rajonale e sigurisë dhe do të përfitonte nga investimi afatgjatë që është bërë për paqen dhe stabilitetin në Shqipëri dhe në tërësi, për Ballkanin Perëndimor.

I nderuar Kryetar i OSBE-së,

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i OSBE-së,

Dëshiroj t’ju informoj se kërkesa ime për ndërmjetësim të OSBE-së i është dërguar edhe Presidentit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Kjo e fundit është e përfshirë fort dhe e përkushtuar në promovimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Shqipëri. Duke pasur parasysh rolin dhe rëndësinë e dimensionit parlamentar, besoj se Asambleja Parlamentare e OSBE-së duhet të përfshihet në një përpjekje të përbashkët ndërmjetësuese për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.

Me pritjen që kjo kërkesë të shqyrtohet me kujdes!

Sinqerisht,

Ilir META