MENU
klinika

“Tanap” është gati

Në pritje të “Tap” për gazin në Evropë

02.07.2019 - 17:01

“Tanap”, gazsjellësi që do të lidhet me “TAP” për të transportuar gazin natyror më pas nëpër Europë, tashmë ka përfunduar dhe është gati që të vihet në punë.

“Tanap” është pjesë e korridorit jugor të gazit. Ky i fundit është një prej projekteve strategjike të Bashkimit Euriopian, pasi pritet të ulë ndjeshëm varësinë e Europës nga gazi rus.

Kompania shtetërore azere e naftës dhe gazit, “Socar” deklaroi kështu në një njoftim se, “Tanap” tashmë është gati për të transportuar gazin në Turqi e Europë.

Sipas “Socar”, me mbarimin e gazsjellësit transadriatik diçka e tillë do të bëhet e mundur. Kujtojmë se, “Tap” parashikohet të përfundojë vitin e ardhshëm.

Pjesa tokësore ka përfunduar, mungon vetëm pjesa nënujore, që do të bëjë lidhjen me pjesën e Italisë, ku do të kalojnë 7 kilometra tubacione.

“Tanap” është pjesa kryesore e korridorit jugor të gazit dhe vlerësohet të ketë kushtuar rreth 7 miliardë dollarë, nga rreth 12 miliardë që vlerësohej paraprakisht.

Gazsjellësi është 1850 kilometra i gjatë dhe fillon që prej Ardahanit në Turqinë veri-lindore, e deri në Ipsala në kufi me Greqinë, nga ku do të bashkohet me Tap.