Partia Demokratike ka reaguar pas caktimit të gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë. PD e cilëson këtë vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor në kundërshtim me Kushtetutën.
“Caktimi i gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor bie ndesh me Kushtetutën. Sipas Kushtetutës duhet që për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të japë pëlqimin edhe Presidenti i Republikës”, thuhet në deklaratë.
KLGJ vendosi në mbledhjen e javës së kaluar të caktojë katër gjyqtarë të përkohshëm për Gjykatën e Lartë, por për PD kjo është drejtësia private e Edi Ramës “e cila ka per qëllim të mbrojë nga ndëshkimi Edi Ramën dhe t’u japë vrasësve dhe kriminelëve një alibi për t’i shpëtuar drejtësisë së vërtetë!”
- DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE
Partia Demokratike e Shqipërisë shpreh shqetësimin për dhunimin flagrant të Kushtetutës dhe për degradimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor në një korporatë private të Edi Ramës, që nuk i shërben interesit publik, por vrasësve dhe kriminelëve.
Caktimi i gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor bie ndesh me Kushtetutën. Sipas Kushtetutës duhet që për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të japë pëlqimin edhe Presidenti i Republikës.
Për Partinë Demokratike është shumë e rëndësishme që çështjet me natyrë urgjente, të cilat lidhen me shqyrtimin e kërkesave për ekstradim, të zgjidhen brenda afateve ligjore dhe pa rrezikuar që kriminelët të lirohen për shkak të mungesës së gjykatës. Por, kjo duhet të realizohet në përputhje me Kushtetutën, sepse, ndryshe, mund t’u shërbejë kriminelëve si alibi për të kërkuar lirimin e tyre.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka për detyrë të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të vënë në funksonim sa më parë Gjykatën e Lartë dhe jo të dhunojë Kushtetutën me emërim gjyqtarësh të përkohshëm sipas modelit antishtet të Edi Ramës për të kontrolluar drejtësinë me prokurorë e gjyqtarë të përkohshëm.
Kjo është drejtësia private e Edi Ramës, e cila ka per qëllim të mbrojë nga ndëshkimi Edi Ramën dhe t’u japë vrasësve dhe kriminelëve një alibi për t’i shpëtuar drejtësisë së vërtetë!