Nën projektin e rimëkëmbjes së energjisë mbështetur nga Banka Botërore me një kredi 150 milionë dollarë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka shpallur së fundmi fituesin për një prej ndërhyrjeve që synon të përmirësojë cilësinë e furnizimit me energji në kryeqytet.
Me një vlerë 2.9 milionë dollarë pritet që OSHEE të kryejë ndërhyrje në rehabilitimin e tre nënstacioneve si dhe kryerjen e punimeve civile. Referuar shpalljes së OSHEE rezulton që në tenderin ndërkombëtar morën pjesë të paktën gjashtë kompani ofertat e të cilave janë bërë publike. Fituese e kësaj gare është shpallur joint-venture mes “Albstar” Tiranë & “Ningbo Tirana Group Co” Kinë.
Kompania do të duhet të kryejë ndërhyrjet në nënstacionin e Kasharit 110/20 kv, atë Traktora 110/20/6kv dhe nënstacionin e Farkës 110/20/kv. Po kështu do të ketë dy nënstacione të lëvizshëm.
Projekti për ndërhyrjen në tre nënstacionet kryesore të kryeqytetit vjen si pjesë e komponentit dy të financimit që ka dhënë Banka Botërore dhe që lidhet me përmirësimin e infrastrukturës së shpërndarjes.
Këto nënstacione pritet që të përmirësojnë cilësinë e furnizimit me energji në kryeqytet që shoqërohet vazhdimisht me problematika për shkak të zgjerimit që ka marrë.
Aktualisht OSHEE po punon paralelisht për një masterplan që do të studiojë zgjerimin që ka Tirana dhe ndërhyrjet që duhet të kryhen përmes investimeve për të përballuar në të ardhmen ngarkesën që do të ketë rrjeti në zona të caktuara.
Projekti me Bankën Botërore që ka nisur qysh prej vitit 2015 kur mori miratimin është projekti më i rëndësishëm i zbatuar në këtë sektor dhe parashikon financim të koordinuar mes kredisë së BB si dhe të ardhurave të vetë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Projekti pritet që të zgjatet me të paktën edhe një vit për shkak të vështirësive që ka hasur gjatë zbatimit, të paktën kështu thuhen në rishikimin e fundit të publikuar nga Banka Botërore për ecurinë e tij.
Vazhdimisht ky projekt është kritikuar për ecurinë ndërkohë që sipas BB aktualisht Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Korporata Elektronenergjetike Shqiptare kanë dalë nga situata e vështirë financiare kurse OSHEE po vuan ende pasojat e vitit të thatë 2017, çka me shumë gjasë do të përsëritet edhe këtë vit.