MENU
klinika

Një emër, një mit

Prusti: Shkrimtar, kritik, eseist

10.07.2019 - 12:50

 

         Nëse të ëndërrosh pak është e rrezikshme, ilaçi nuk është të ëndërrosh më pak, por të ëndërrosh më shumë, të ëndërrosh pa pushim.

 

Marsel Prusti është një nga autorët që shënuan shekullin XX, që nxitën drejt reflektimit dhe ngritjes së pyetjeve. Shkrimtari lindi më 10 korrik 1871, në Paris, në një familje borgjeze dhe të arsimuar, ku gjendja e mirë ekonomike i lejoi të mos punonte, ndërkohë që prej fëmijërisë vuajti përherë nga shëndeti i dobësuar nga krizat e astmës. Studioi literaturë në Sorbonë, ku u diplomua në 1895, më pas u dha pas jetës së sofistikuar shoqërore, gjithnjë duke shkruar.  Ndër veprat e famshme të autorit citojmë: “Në kërkim të kohës së humbur”, një libër monument i  botuar në rrjedhën e disa viteve në shtatë vëllime. Marsel Prusti, përveçse  një prej shkrimtarëve më të mëdhenj francezë, ishte gjithashtu kritik, eseist dhe letrar. Një emër, një mit. Asnjëherë nuk mund të flasim për dimensionin e vërtetë mitologjik si në rastin e Marcel Proustit, shkrimtari i përmendur shpesh në lidhje me kohën që kalon dhe fuqinë e kujtesës, por që pak në fakt e kanë lexuar. Kjo edhe për shkak të madhësisë së konsiderueshme dhe natyrisht frikësuese. Të komentosh autorin apo veprën e tij përtej klisheve Prusti mondan, çifut, dendi, homoseksual, deri fraza naive “Prusti e kishte frazën e gjatë, sepse kishte frymën e shkurtër”, etj. është thuajse një sfidë.

 

 

 

Në fakt, Prusti mbetet autor modern i paklasifikueshëm, dyfish i paklasifikueshëm po të niseshim nga gjenealogjia e tij, edhe nga tiparet e veprës së tij.  Gjenealogjia e tij e dyfishtë, francez dhe hebre, midis katolicizmit dhe judaizmit, do të jetë burimi i asaj pleksjeje njerëzish e vendesh që përbën thelbin e veprës “Në kërkim të kohës së humbur”. Dualiteti i qenësishëm i Prustit u manifestua në dilemën e tij, ai nuk zgjedh dot midis fiksionit dhe kritikës, romanit social dhe poemës, jetës dhe ligjeve. Çifut dhe katolik, vetmitar dhe mondan, romancier dhe filozof, homoseksual dhe njeri i shekullit shumë pranë opinioneve konvencionale, Prusti iu nënshtrua gjithë jetës këtij dualiteti, këtij klasifikimi që ai vetë donte t’i shpëtonte. “Në kërkim të kohës së humbur” është historia e një njeriu që zbulon se bëhet shkrimtar, por është edhe historia që tregon se si ai është bërë shkrimtar dhe faqja e fundit është dhe faqja e parë e librit. Fillimi dhe fundi janë tashmë që në vëllimin e parë të “Kërkimit”, pjesa tjetër është vetëm digresion. Prusti e shihte shkrimin e veprës së tij si një mision, shpesh thoshte: “Shkrimtari i madh është si fara që ushqen të tjerët me atë çka ka ushqyer më parë veten”.

Krijimtaria artistike e Marsel Prustit është një ide e emancipuar për kohën dhe kujtesën emocionale, sikurse aktivitetet e artit që duhet të ofrojnë komunitete të pastra, por është gjithashtu një ide rreth dashurisë dhe xhelozisë, me një emocion disfate dhe shpengimi të jetës që i jep ngjyrim të përhimë imazhit proustian ku homoseksualiteti ruan një vend serioz.

Vetë stili i Prustit dhe temat që ai trajton janë karakteristikat specifike të autorit, që e sinjalizojnë punën e tij si unike. Disa janë zanafillë e romanit modern me “Kërkimin” e Prustit: intriga nuk është më motori kryesor i tregimit, i cili kërkon mandej të hetojë variantet e mendjes njerëzore. Temat e artit, letërsisë, muzikës, pikturës, zënë një vend po aq të rëndësishëm, sa edhe ato të dashurisë dhe xhelozisë.

 

 

 

 

Konstrukti i fjalive të Prustit është shumë i veçantë, fjalia e gjatë është veçantia e stilit të tij. Prusti përpiqet të përshkruajë realitetin, të vërtetën siç është jetuar e ndier në të gjitha aspektet e saj, nga narratori dhe personazhet. Pra, fjalia është e gjatë sepse duhet të transkriptojë sa më besnikërisht të jetë e mundur realitetin e ndjeshëm dhe të gjitha planet e tij (fizike, emocionale, ndijore). Një fjali, megjithëse mbaron me një duzinë rreshtash larg pikënisjes, është një ansambël i gjallë, qëmtuar mjeshtërisht, ku çdo fjalë dëshmon për një realitet të ndjeshëm.

Nocioni i kohës është i gjithëpranishëm në të shkruarit prustian, ku kujtimet e shkaktuara nga një ndjesi, një fjalë, një melodi, sjellin kujtime që na japin nocionin e kohës së kaluar. Të pafundme janë veprat e tij, ndër të tjera “Albertina e zhdukur”, “Robinja”, Kur dashuronte Suani”, etj.

Edhe pas njëqind vjetësh, kur më 10 dhjetor 1919 Marsel Prusti fitoi çmimin “Goncourt” për librin e tij “Në hijen e vajzave të reja në lulëzim”, vepra e tij mbetet ende e gjallë.

 

 

Nëse të ëndërrosh pak është e rrezikshme, ilaçi nuk është të ëndërrosh më pak, por të ëndërrosh më shumë, të ëndërrosh pa pushim.

 

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit