MENU
klinika

Reagimi

Pushkatimi i dy poetëve, Basha: Solidarizim me intelektualët!

17.07.2019 - 10:12

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përkujtuar këtë mëngjes dy poetët nga Librazhdi, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, të cilët u pushkatuan 42 vite më parë nga regjimi komunist.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Basha bën thirrje për më shumë solidaritet me intelektualët, duke theksuar se edhe 42 vite më vonë shohim kudo shenja shqetësuese se intelektuali shqiptar po intimidohet, po tulatet e po detyrohet të mbyllë gojën.

“Prandaj kjo ditë, ky përkujtim për Vilson Blloshmin e Genc Lekën bëj thirrje që të na shërbejë për t’i ndihmuar intelektualët, për të qenë solidarë me ta dhe për t’u bërë jehonë qendrimeve të tyre, denoncimeve të tyre, pasi sot më shumë se kurrë denoncimet e intelektualëve janë pasuria më e madhe që kemi në përballjen me të ligën”, shkruan ndër të tjera Basha.

Mesazhi i plotë i Bashës:

42 vjet më parë, diktatura komuniste vrau dy poetë në Librazhd, Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën. Instrumenti i terrorit, Sigurimi i Shtetit, pushkatoi natën e 17 korrikut dy të rinjtë poetë vetëm pse guxuan të përshkruanin figurativisht në poezi Saharanë që mbizotëronte në realitetin shqiptar.

Në fillim të dekadës, në vitin 1971, Sigurimi kishte vendosur një tjetër rekord të zi, kishte pushkatuar Dom Shtjefën Kurtin, vetëm se kishte pagëzuar një fëmijë. Pushkatimi i dy poetëve ishte një gjëmë që regjimi po deklaronte se do e kthente në normë: cilido intelektual që do mendonte me mendjen e tij dhe do të guxonte ta shprehte sadopak mendimin e tij në shoqëri do ndëshkohej rëndë.

Diktatura e mbante fjalën kur ishte fjala për të shtypur intelektualët. Dënimi me varje i poetit Havzi Nela 11 vjet më vonë, i fundit dënim me varje i një poeti në Evropën ish-komuniste, ishte tregues se monstra diktatoriale nuk hiqte dorë deri në fund nga dhuna ndaj intelektualëve.

42 vjet me vonë, shohim kudo shenjat shqetësuese se intelektuali shqiptar po intimidohet, po tulatet, po detyrohet të mbyllë gojën, apo në rast se nuk bindet, po hiqet nga puna, duke e detyruar kështu të largohet nga vendi.

Kudo shohim tabelat mediatike të shndërruara në fletërrufe të qeverisë që kërcënojnë intelektualët, që synojnë të damkosin profesionistët dhe që në një përpjekje antishqiptare ngrenë në piedestal hajnin, dallkaukun e xhahilin.

Prandaj kjo ditë, ky përkujtim për Vilson Blloshmin e Genc Lekën bëj thirrje që të na shërbejë për t’i ndihmuar intelektualët, për të qenë solidarë me ta dhe për t’u bërë jehonë qendrimeve të tyre, denoncimeve të tyre, pasi sot më shumë se kurrë denoncimet e intelektualëve janë pasuria më e madhe që kemi në përballjen me të ligën.

Qëndresa e Aleancës së Teatrit dhe pedagogëve e akademikëve, janë prova se metastazat e reja të asaj diktature që u mori jetën poetëve nuk do t’ja dalin dhe se pasardhësit e atyre xhahilëve që kërkonin bakshishe pse kishin përndjekur e paditur klerikë që kryenin misionin e tyre për lehtësimin e plagëve të besimtarëve që e ushtronin lutjen ndaj Zotit veç në klandestinitet, s’do të çimentohen në kolltuqet e qeverisë.

Shkrimtari Ismail Kadare, në parathënien e librit të Sadik Bejkos “Vilsoni dhe Genci” e përcakton betejën e poetëve, ashtu si edhe të klerikëve, një betejë të shqiptarëve për të mbrojtur rrënjët e tyre në Perëndim.

Në 42-vjetorin e pushkatimit të poetëve, mund të them me krenari se armata e qytetarëve shqiptarë të bashkuar rreth vlerave të Perëndimit është forcuar, por beteja ende nuk ka mbaruar.

Ndaj metastazave që ëndërrojnë të mbrojnë krimet e diktaturës dhe të dënojnë çdo intelektual që guxon të denoncojë gjëmat dhe bëmat e një nomenklature hajdute dhe të lidhur me krimin, nuk duhet reshtur beteja, çdo ditë, kudo, deri në triumfin ndaj të keqes.

42 vjet më vonë, para nesh nuk është Saharaja e poetëve të Bërzhezhtës së Librazhdit, por agonia e një klike sa hajdute, dhe kriminale aq edhe injorante dhe anti perëndimore që lajmëron shuarjen e vet, pikërusht se u ka shpallur publikisht luftë poetëve, shkencëtarëve, pedagogëve dhe intelektualëve të këtij vendi.

Mirënjohje përjetë Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës! I pavdekshëm qoftë kujtimi i tyre!