Qeveria shqiptare pritet të përballet me një lloj tjetër padish në Gjykatën e Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Avokati i Shtetit, Artur Metani, duke folur për ndryshimet ligjore që iu bënë ligjit organik të institucionit që ai drejton, theksoi se efikasiteti i tij do të shihet me çështjet e vetingut.
Konkretisht, disa persona të sistemit të drejtësisë që kanë ngelur në procesin e rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve, kanë paditur vendimin në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ndryshimet që iu bënë ligjit për “Avokaturën e Shtetit” theksojnë se avokatët që fitojnë çështje në favor të qeverisë shqiptare në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, marrin bonuse honorarësh, pasi japin përfitime për buxhetin e shtetit.
Ky ndryshim u bë me synimin për të thithur avokatët më të mirë, që të punojnë në favor të qeverisë shqiptare, por që efikasiteti i ndryshimeve ligjore pritet të testohet së shpejti në paditë që i janë bërë procesit të vetingut në Strasburg.
“Meqenëse u bë ndryshimi ligjor, edhe duke rritur pagesën për Avokatin e Shtetit, duke supozuar se do të vijnë profesionistët ose po mundohen të marrin profesionistët më të mirë në atë detyrë, në këtë periudhë ne nuk kemi pas vendimmarrje të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Këtë do ta shohim në vazhdim, në përfaqësimin të Shtetit Shqiptar në rastet e vetingut, të cilat janë paraqitur në Strasburg dhe aty do të shohim ndoshta edhe cilësinë e mbrojtjes, edhe bashkëpunimin e punës që kanë bërë avokatët e shtetit gjatë kësaj periudhe”, tha Avokati i Shtetit gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve.