MENU
klinika

BE ka shkaktuar shumë prej tyre

Qeveria e re e Greqisë do të përballet me shumë vështirësi!

12.07.2019 - 15:13

Demokracia, siç thuhet shpesh, filloi në Greqi. Ama kohët e fundit, Athina e ka pasur të vështirë për të vënë në punë ‘shpikjen’ e saj.

Në zgjedhjet e së dielës së kaluar, votuesit ndëshkuan qeverinë e majtë Syriza të udhëhequr nga Alexis Tsipras dhe u kthyen tek Kyriakos Mitsotakis dhe Demokracia e Re konservatore. Për fat të keq, zhgënjimi i mëtejshëm duket shumë i mundshëm. Udhëheqësi i ri trashëgon problemet që do të jenë jashtëzakonisht të vështira për t’u zgjidhur dhe kjo ngre pikëpyetje për Evropën në tërësi.

Përkundër një depresioni të jashtëzakonshëm, gjatë të cilit PBB ra me një të tretën dhe të ardhurat reale shumë më tepër, rritja mbetet e ngadaltë, shumë e ngadaltë për të bërë diçka lidhur me normën e papunësisë prej 18% dhe një raport borxhi ndaj PBB prej më shumë se 180%.

Përballja me një pengesë kaq të rëndë ekonomike është mjaft e vështirë. Sfida më e madhe e qeverisë së re do të jetë të bindë votuesit e vendit se Demokracia e Re do të jetësojë emrin e saj dhe do të marrë pjesë në shqetësimet e tyre.

Duke pasur parasysh sfondin, kjo vështirë se mund të merret si e mirëqenë.

Zgjedhjet parlamentare nuk janë shprehja e vetme e opinionit popullor. Në intervale të rregullta, popujt e ndryshëm të Bashkimit Evropian janë pyetur në referendume për të mbështetur hapat e ardhshëm drejt “bashkimit gjithnjë e më të ngushtë”. Kohë pas kohe, votuesit e kanë penguar.

Kjo ndodhi në Danimarkë, Francë, Irlandë dhe Hollandë – por një nga shembujt më të mrekullueshëm të të injorimit nga opinionet e votuesve ishte në Greqi. Në vitin 2015, votuesit u pyetën nëse kushtet e shpëtimit të vendosura nga Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ishin të pranueshme.

Votuesit thanë jo me vendosmëri: 61% votuan në favor të rekomandimit të qeverisë së Syriza për të hedhur poshtë kushtet. Brenda 24 orëve, Tsipras mbajti bisedime me partitë që kishin mbështetur një votim jo dhe u pajtuan me kërkesat e trojkës.

Në këtë kthesë të ngjarjeve, Yanis Varoufakis dha dorëheqjen si ministër i financave, duke thënë: “Sonte kemi hasur fenomenin e një qeverie që ka rrëzuar popullin e saj.”

Një javë më vonë, qeveria greke pranoi një paketë shpëtimi që kërkonte akoma më shumë shkurtime pensionesh dhe rritje taksash sesa plani që votuesit sapo kishin hedhur poshtë me votë.

Fundi i tragjedisë greke nuk është ende afër. Kreditë joperformuese të bankave greke kanë rënë në vitet e fundit, por rënia e ekonomisë ka nënkuptuar se pjesa e kredive me probleme në total është akoma e lartë, në mbi 40%. Popullsia e Greqisë ka rënë që kur kriza shpërtheu në fund të vitit 2009, kryesisht përmes emigrimit të shumë prej të rinjve më të talentuar të saj. Në këtë mënyrë, perspektivat afatgjata të Greqisë janë të dëmtuara seriozisht.

Ishte gabim të besohej se Greqia mund të qëndronte në eurozonë gjatë ristrukturimit të borxhit kombëtar. Megjithëse ristrukturimi i borxhit ishte dhe është i nevojshëm, nuk është i mjaftueshëm. Greqia u bashkua me euro në një kurs këmbimi realisht të mbivendosur. Një zhvlerësim i madh ishte i nevojshëm për të rritur kërkesën e jashtme dhe për të kompensuar zvogëlimin e pashmangshëm të kërkesës së brendshme, pasi reformat strukturore u vendosën. Megjithatë, Trojka, dhe veçanërisht BQE, ishte e vendosur të mbante së bashku eurozonën.

Trojka tashmë kishte imponuar kushtëzime të ashpra në vendet e tjera dhe do të kishte qenë e pamundur të mbaheshin këto politika nëse Greqisë i ishte dhënë një rrugëdalje në formën e lehtësimit të borxheve. Pra, BE dhe FMN, nëpërmjet Trojkës, vendosën në shkallë të rreptë dhe të panevojshme dhe tepër të dhimbshme masa shtrënguese.

A kishte ndonjë alternativë?

Po.

Në çdo moment midis 2010 dhe 2015, Gjermania dhe Greqia mund të kishin vendosur bashkërisht të linin Greqinë të largohej nga zona e euros, me premtimin se një ditë do të kthehej. Varoufakis nënkuptoi që ministri i financave i Gjermanisë, Wolfgang Schaeuble, do të ndihmonte për të zbatuar një zgjidhje të tillë. Por kancelarja gjermane Angela Merkel dhe BQE-ja preferonin të kundërtën. Mirë për ta, por jo për Greqinë. Linja e gjatë e udhëheqësve politikë të sakrifikuar në altarin e euros tani përfshin Tsipras si dhe Varoufakis.

Problemi themelor nuk kufizohet vetëm në Greqi. Asnjë bashkim monetar nuk ka mbijetuar kurrë pa u zhvilluar në një bashkim politik. Çështja për BE është se ka pak mbështetje popullore ndaj vetes. Pra BE-ja, udhëheqësit e saj dhe institucionet e saj, kanë kërkuar bashkimin politik ‘vjedhurazi’, nëpërmjet një “shteti administrativ”. Kjo është një lojë e kushtueshme që do t’i sjellë kosto të mëdha anëtarëv të saj jugorë.

Populizmi është në rritje në të gjithë Perëndimin, por shkaqet variojnë. Në pjesën më të madhe të Evropës, populizmi në rritje reflekton pasojat e masave shtrënguese ekonomike mes luftës për të mbajtur gjallë euro. Në Shtetet e Bashkuara, populizmi lind nga staniacioni i pagave reale gjatë një çerek shekulli ose më shumë dhe rënia e jetëgjatësisë. Në Britani, ajo buron nga dështimi i partive kryesore politike që të jenë të ndershëm në lidhje me pasojat e anëtarësimit në BE dhe, së fundi, nga hezitimi i tyre për të nderuar rezultatin e referendumit të vitit 2016.

Në të gjitha rastet, megjithatë, ajo pasqyron një mosbesim të thellë në mesin e shumicës së qytetarëve të motiveve dhe veprimeve të elitës politike.

Asnjë nga këto nuk është e re. Dodds, dijetari klasik i Oksfordit, tha për boten arkaike greke: “Gjithë klasat u shkatërruan nga kriza e madhe ekonomike e shekullit të shtatë, dhe kjo nga ana tjetër u pasua nga konfliktet e mëdha politike të shekullit të gjashtë, që e shndërroi krizën ekonomike në luftë klasike vrasëse. Tani, ashtu si atëherë, elitat politike kanë qenë të ngadalta për të parë se mungesa e të kuptuarit të tyre ka ushqyer zhgënjimi dhe trazira.”

Në të gjithë Evropën, identiteti evropian mbetet i popullarizuar, por BE-ja dhe shteti i saj administrativ nuk janë. Ndërsa vështirësitë e Greqisë zvarriten dhe politika evropiane kthehet gjithnjë e më shumë në febrile, udhëheqësit e BE duhet të pyesin veten e tyre: Ç’i mbetet demokracisë nëse pikëpamjet e votuesve injorohen?