MENU
klinika

Publikimet e INSTAT

Rritja ekonomike për tremujorin e parë 2019

01.07.2019 - 15:20

Sot INSTAT publikoi rritjen ekonomike të tremujorit të parë të këtij viti që rezultoi brenda pritshmërive tona.

Sektorët kryesorë të ekonomisë kanë treguar momentin pozitiv që po kalon ekonomia e vendit. Shumica e sektorëve treguan një rritje të kënaqshme, në linjë me parashikimet pozitive të rritjes ekonomike.

Kështu, industria përpunuese u rrit me 4.7%, ndërtimi me 5.9%, shërbimet me 4.1%, industria nxjerrëse me 17%. Disa sektorë si bujqësia dhe energjia reflektuan më shumë efektet sezonale të thatësirës së fillimvitit, duke zbutur kontributin e tremujorit të parë në rritjen vjetore.

Në T-I 2019 sektori i energjisë elektrike u tkurr me rreth -63% krahasuar me T-I 2018, duke dhënë një kontribut negativ në rritjen reale të PBB në këtë tremujor prej rreth 1.7 pikë përqindje. (Pra, nëse kontributi nga ky sektor do të kish qenë neutral, atëherë rritja e PBB për T-I 2019 do kishte rezultuar në nivel të njejtë me tremujorin e parë të vitit të kaluar).

Gjithsesi, ndryshimet pozitive të tremujorit të dytë në sektorin e energjisë, pritet që të normalizojnë kontributin vjetor në rritjen ekonomike që pritet të mbetet brenda parashikimeve.

Efektet negative në tregun e lojrave të fatit, të cilat patën ndikim në tremujorin e pare është një kosto që e kemi përllogaritur sepse të mirat sociale janë shumë më të mëdha dhe ne afatgjatë do të përkthehet edhe në përfitim ekonomik.

Performanca e ekonomisë është reflektuar edhe në ecurinë pozitive të treguesve të tjerë si tregu i punës, ku norma e papunësisë vijoi trendin rënës duke zbritur në nivelin 12.1% ndërkohë që punësimi vijon të rritet me rreth 1.5% (ose rreth 17.8 mijë të punësuar më tepër) se tremujori i parë i 2018.

Gjithashtu indeksi i besimit të bizneseve dhe konsumatorëve u përmirësua gjatë tremujorit të parë. Eksportet pa energjinë u rriten 7.4% në tremujorin e parë ndërkohë që Investimet e huaja direkte arritën vlerën e 286 milion euro, me 1.6% mbi një vit rekord si 2018, cka është tregues se dhe për vitin 2019 ato do të tejkalojnë 1 miliard euro. Kjo konfirmon që bazat e ekonomisë janë të qëndrueshme.

Por duhet theksuar që rreziqet e jashtme dhe të brendshme kanë ardhur në rritje. Rreziqet e ndryshme lidhen me shumë faktor global, një ngadalësim i mundshëm i ekonomisë evropiane dhe situata e tensionuar e politikës të brendshme rrezikojnë të ndikojë negativisht rritjen ekonomike.

Çdo tension politik apo çfarëdo lloj tensioni tjetër ka efektet e tij në ekonomi dhe nuk mund të anashkalohet, në qoftë se është i tejzgjatur dhe i përshkallëzuar.