MENU
klinika

Sigurimet

Rritje në 5-mujorin e parë, bum me “jetën” dhe “kartonin jeshil”

03.07.2019 - 18:46

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përditësuar ecurinë e tregut të sigurimeve me të dhënat më të fundit që i referohen periudhës Janar-Maj të këtij viti.

Të dhënat më të fundit vënë në dukje se, gjatë kësaj periudhe kohore, tregu i sigurimeve ka regjistruar një rritje të përgjithshme prej 7.6%. Volumi i primeve të shkruara bruto tashmë prek shifrën e 6.7 miliardë lekëve.

Numri i kontratave ndërkohë, në të gjitha produktet që ofron sektori ka pësuar një rritje me 5.2% gjatë kësaj periudhe kohore, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesën dërrmues e zënë pa diskutim produktet e jo-jetës, me 6.2 miliardë lekë, dhe me një numër kontratash në rritje me 7.3% krahasuar me vitin e kaluar.

Po ashtu, është rritur ndjeshëm edhe fatura e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit gjatë këtij segmenti kohor, me rreth 3.7%. kjo faturë për periudhën janar-maj të këtij viti fiksohet në rreth 2.3 miliardë lekë. Ajo që bie tjetër në sy nga të dhënat është rritja e kontratave për kartonin jeshil çka sinjalizon fluks më të lartë dalës të shqiptarëve me makinë jashtë kufijve.

Në sy bie edhe rënia e ndjeshme e numrit të primeve të shkruara bruto për sigurimin e pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës.

Kjo rënie fiksohet në masën 28%. Sigurimi i jetës ndërkohë ka pësuar një rritje të madhe, në masën 13%, thonë të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.