MENU
klinika

Çfarë iu gjet në lokal?

Shfrytëzonte vajza për prostitucion, arrestohet 43-vjeçari

08.07.2019 - 11:18

Një pronar lokali në Belsh ka rënë në prangat e policisë, pasi është zbuluar se në ambjentet e biznesit të tij shfrytëzonte disa vajza për prostitucion.

Operacioni është kryer në bashkëpunim me komunitetin, pasi kanë qenë banorët ata që kanë sinjalizuar në lidhje me këtë operacion.

Në pranga ka rënë E.Ç., 43 vjeç, banues në Fier, (pronari i lokalit në të cilin zhvillohej veprimtaria e kundërligjshme).

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe shfrytëzimit të lokaleve për prostitucion, bazuar mbi informacionet e marra nga komuniteti se në ambientet e një lokali u shpërndahej lëndë narkotike e dyshuar kokainë klientëve të ndryshëm, si dhe shfrytëzoheshin vajza të moshave të ndryshme për prostitucion, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor “Liqeni”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

• E.Ç., 43 vjeç, banues në Fier, (pronari i lokalit në të cilin zhvillohej veprimtaria e kundërligjshme).

Si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë 5 shtetase për veprën penale “Prostitucioni”.

U sekuestruan në cilësinë e provave materiale, 14.7 gramë pluhur i dyshuar lëndë narkotike e llojit kokainë, një peshore elektronike, automjeti në pronësi të shtetasit E.Ç., si dhe 6 aparate telefonike celulare.
Gjithashtu ky shtetas nuk ishte i pajisur me kasë fiskale gjatë ushtrimit të aktivitetit në lokali, duke bërë të mundur fshehjen e të ardhurave.

Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” , “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, dhe “Fshehja e të ardhurave”, në ngarkim të shtetasit E.Ç.

Policia e Shtetit vijon punën për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në këtë kuadër fton qytetarët të telefonojnë falas në numrat 112 dhe 129, ose në aplikacionin “Komisariati Dixhital” kur konstatojnë paligjshmëri, duke i garantuar për reagim të shpejtë dhe të paanshëm.