Shqipëria dhe Kosova nënshkruan sot marrëveshjen ndërministrore për bashkim të përfaqësive diplomatike e konsullore dhe për bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme.
Marrëveshja u firmos nga Ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve, Gent Cakaj dhe Behgjet Pacolli.
Në konferencën e përbashkët për median, Cakaj sqaroi se marrëveshja konsiston në katër shtylla kryesore; politike, diplomatike, profesionale dhe kulturore.
“Kemi vendosur ngritjen e grupit ndërministror për përfaqësim të përbashkët ndërkombëtar me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve politke në terrenin ndërkombëtar dhe marrjen e detyrimeve konkrete për përfaqësim të njëra-tjetrës sipas vlerësimeve të përbashkëta veçanërisht në organizata ndërkombëtare.
Veçanërisht Republika e Shqipërisë nga sot e tutje merr përsipër jo thjesht afirmimin deklarativ por edhe përfaqësimin e drejtëpërdrejtë, mbrojtjen konkrete dhe afirmimin pa kushte të qëndrimeve zyrtare të Republikës së Kosovës në të gjitha instancat ndërkombëtare ku përfaqësimi i Kosovës për shkaqe objektive është i pamundur.Kemi vendosur edhe ngritjen e Këshillit të përbashkët për planifikim strategjik i cili ngarkohet me detyrën e përcaktimit të prioriteteve strategjike dhe propozimin e rregullt të politikave të rëndësisë kombëtare. Kosova dhe Shqipëria tani e tutje nuk do të veprojnë si një trup i unifikuar, por edhe me një qasje aktive në botën e jashtme.
Jemi dakordësuar për fillimin e punës për ngritjen e fondit të përbashkët për menaxhimin, ngritjen dhe zhvillimin e ambasadave dhe konsullateve nëpër botë. Kosova dhe Shqipëria nga sot e tutje fillojnë punën për të pasur Ambasada dhe konsullata të përbashkëta anembanë botës. Për ti shërbyer trupës së integruar diplomatike, Kosova dhe Shqipëria menjëherë nga sot e tutje do të fillojnë krijimin e një platforme të përbashkët të trajnimeve midis akademive të tyre diplomatike.
Së treti shtylla profesionale. Kam parasysh rritjen e aftësive në shërbimin diplomatik dhe angazhimeve tona të përbashkëta për të shkëmbyer personelin. Po pres me padurim ardhjen e diplomatëve të parë kosovarë në shërbimin diplomatik të Shqipërisë. Po ashtu jam tepër i entuziazmuar për diplomatët e Shqipërisë që do të shkojnë të shërbejnë nëpër qendra diplomatike ku Kosova gëzon avatntazh të padiskutueshëm përfaqësimi. Kjo masë do të shoqërohet dhe me këmbime të stafit në Ministritë tona.
Shtylla e diplomacisë kulturore. Shqipëria dhe Kosova sot kanë rënë dakord për zhvillimin e një kalendari të përbashkët të aktiviteteve kulturore me qëllim ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare.”