Mbështetja që Sllovenia i ka dhënë Shqipërisë, është një inkurajim në përpjekjet e Shqipërisë për të kapërcyer krizën e rëndë politike ku ndodhet vendi.
Kështu u shpreh Presidenti Ilir Meta në një takim lamtumire me Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, Lea Stançiç.
Duke e falenderur për përkrahjen e dhënë nga Sllovenia në rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes europiane, Presidenti Meta theksoi gjithashtu se: “Kjo mbështetje na inkurajon për të shtuar përpjekjet tona për kapërcimin e krizës së rëndë ku ndodhet vendi dhe rikthimin urgjent në shinat e demokracisë dhe shtetit ligjor, për t’i shërbyer objektivit strategjik të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian gjatë mbledhjes së Këshillit të 17-18 tetorit”.
Presidenti Meta pasi vlerësoi kontributin e Ambasadores Stançiç për për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, dhe siç zyra e shtypit të Presidencës bën të ditur, ai vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Sllovenisë janë shumë të mira dhe se ekzistojnë hapësirat për të forcuar më tej ato ekonomiko-tregtare.
“Dëshmi e ecurisë mjaft të mirë të marrëdhënieve janë vizitat e shpeshta të autoriteteve më të larta sllovene, të cilat kulmuan me vizitën e Presidentit Pahor në Shqipëri”, – tha Presidenti Meta.