Një moment tmerri për trajnerin e ka mpionëve të Gjermanisë, Niko Kovac, në seancën e fundit stërvitore të Bayern.
Një tifoz i irrituar ia doli të hynte në qendrën stërvitore dhe i është vërsulur trajnerit kroat, duke tentuar ta lëndojë atë. Është dashur ndërhyrja e policisë që agresori të kapej. Siç raporton “Bild”, tifozi është futur në fushat e qendrës stërvitore me pretendimin se donte të luante me lojtarët.
Më pas, ai i është sulur trajnerit Kovac duke e kapur nga këmbët.
Kanë qenë punëtorët e klubit bavarez ata që e kanë lajmëruar menjëherë policinë. Brenda pak minutave është shfaqur policia duke sqaruar gjithçka, duke e shoqëruar në rajon tifozin e çmendur.
Ende nuk dihen shkaqet që detyruan personin të hynte në fushën stërvitore, emri i të cilit mbahet sekret nga forcat e policisë për arsye sigurie. Janë duke u hetuar shumë pista, edhe pse Kovaç mësohet t’u ketë thënë forcave të rendit se nuk ka pasur asnjë konflikt me asnjë, aq më tepër me personin në fjalë, të cilin nuk e njihte fare. Informacione jo zyrtare tregojnë se personi mund të ketë pasur edhe një thikë me vete, ndonëse nuk e ka përdorur atë ndaj trajnerit, i cili është shpëtuar nga disa punonjës që ndodheshin në fushën e stërvitjes në ato momente.
Pas kësaj ngjarjeje, klubi gjerman ka shtuar masat e sigurisë në Sabener Shtrase, një lagje ku jetojnë persona të njohur, duke filluar nga drejtuesit kryesorë.