Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar konsultimet me partitë politike në lidhje me zhvillimet pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj. Sipas një komunikate nga presidenca, ai ka nisur takimet me dy parti të komuniteteve jo shumicë që përfaqësojnë komunitetin turk dhe atë boshnjak në Kuvendin e Kosovës.
“Republika e Kosovës ka mbetur pa qeveri”, thuhet në komunikatën e presidencës, ku sqarohet se në takimet e sotme janë ftuar përfaqësuesit e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ata të subjektit VAKAT nga grupi parlamentar 6 plus.
Presidenti Thaçi është shprehur se tani “shtrohet nevoja për hapa konkret në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për të pasur sa më shpejtë një qeveri funksionale e efektive”.
“Kjo qeveri duhet të reflektojë vullnetin e partive politike për një solucion të ri qeverisës apo atë të një procesi elektoral të ri dhe të bëjë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejtë me qeveri”, theksohet në komunikatë.
Takimet me partitë tjera politike, sipas komunikatës, do të vazhdojnë në ditët e ardhshme, varësisht nga agjenda dhe zhvillimet brenda vet partive politike përkatëse.
Për të mërkurën, Thaçi ka paralajmëruar takimin me Kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve KQZ-së, Valdete Daka.
Më 19 korrik, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, pasi ishte ftuar nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Veçanta në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Nga ai moment, spektri politik i ka bërë thirrje presidentit Thaçi të ndërmarrë veprime për tejkalimin e gjendjes, qoftë përmes formimit të qeverisë së re apo shpalljes së zgjedhjeve të reja.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më pas njoftoi se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.