Brenda pak ditësh boksi ka pësuar një tjetër tragjedi.
Pas 5 ditësh në koma ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm boksieri argjentinas Hugo Alfredo Santillan. 23-vjeçari ndërroi jetë pasi dëmtimet që kishte marrë në kokë ishin tepër të rënda. Santillan dueloi ndaj uruguajanit Eduardo Javier Abreu të shtunën e kaluar, në Argjentinë, por kjo sfidë e boksierit vendës rezultoi fatal.
Argjentinasi u rrëzua pa ndjenja që në momentin e shpalljes së fituesit dhe u transportua me urgjencë në spital.
Që në fillim gjendja e tij ishte e rëndë dhe përpjekjet e këtyre ditëve rezultuan të kota. Santillan ishte një boksier profesionist që nga viti 2015 dhe kishte zhvilluar 27 duele (19 fitore, 6 humbje dhe 2 barazime).
Pak ditë më parë, ndërroi jetë edhe boksieri rus Maxim Dadashev, që pati probleme gjatë duelit me portorikanin Subriel Matias.
Edhe rusi pati hematoma të mëdha, duke rënë në gjendje kome, u operua, por edhe ai nuk u zgjua më kurrë.