MENU
klinika

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Vendi i furnizimit të mallrave/ Rregullat që duhen ndjekur

02.07.2019 - 22:05

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar në faqen e saj zyrtare rregullat dhe procedurat që duhen ndjekur nga tatimpaguesit në lidhje me vendin e furnizimit të mallrave.

DPT bën me dije se vendi i tatueshmërisë, për furnizimin e mallrave të luajtshme të trupëzuara, ndryshon nëse mallrat dërgohen apo transportohen, nëse montohen apo instalohen apo nëse furnizohen në bordin e një anijeje, të një mjeti fluturues apo të një treni.

Sipas DPT vendi i furnizimit të mallit është në republikën e Shqipërisë atëherë:

Kur malli nuk dërgohet ose nuk transportohet;

Nëse malli ndodhet në Republikën e Shqipërisë në momentin kur i vihet në dispozicion blerësit;

pavarësisht vendndodhjes apo vendbanimit të blerësit brenda ose jashtë Republikës së Shqipërisë.

Në të kundërt, nëse malli i cili nuk dërgohet, ose nuk transportohet, ndodhet jashtë Republikës së Shqipërisë në momentin e vënies në dispozicion të blerësit, vendi i furnizimit të mallit nuk është në Republikën e Shqipërisë dhe furnizimi nuk është i tatueshëm në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu quhet furnizimi i mallrave me dërgesë ose me transport nga shitësi, blerësi ose një palë e tretë për llogari të tyre:

Kur malli dërgohet apo transportohet nga Republika e Shqipërisë, vendi i furnizimit të mallit ndodhet në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht destinacionit të mallit në një vend jashtë saj;

Vendi i furnizimit të mallrave të luajtshme të trupëzuara është në Shqipëri nëse malli ndodhet në Shqipëri gjatë montimit apo instalimit;
Vendi i furnizimit të mallrave të luajtshme të trupëzuara të shitura në bordin e anijeve, aeroplanëve apo trenave për transport ndërkombëtar të pasagjerëve, është në Shqipëri kur mallrat ndodhen në Shqipëri në momentin e nisjes së transportit, pavarësisht vend-mbërritjes së mjetit të transportit;

Kjo dispozitë zbatohet vetëm për mallrat e luajtshme të trupëzuara që tregtohen (shiten) në bord, por nuk janë të destinuara për t’u konsumuar në bord, ose kryhen dhe konsumohen në të njëjtën kohë në bordin e këtyre mjeteve të transportit, bën me dije DPT.

Ndërkaq në lidhje me furnizimin e gazit natyror, energjisë elektrike, ujit, energjisë për ngrohje dhe ftohje nëpërmjet sistemeve të shpërndarjes zbatohen këto rregulla:

Vendi i furnizimit të gazit natyror, energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe ftohje dhe ujit është në Shqipëri nëse:

Në mungesë të konsumit apo përdorimit efektiv të këtyre mallrave në Shqipëri, kur blerësi person i tatueshëm ka selinë e veprimtarisë së tij ekonomike në Shqipëri apo njësinë fikse ku furnizohen mallrat, ose në mungesë të tyre vendi ku ai ka adresën e përhershme, ose ku ai banon.