MENU
klinika

Kremi mbrojtës nuk mjafton!

4 faktorë që na ekspozojnë ndaj kancerit të lëkurës

24.08.2019 - 15:17

Gjatë sezonit të verës, të gjithë tundohemi për një trup ngjyrë çokollatë dhe shpesh harrojmë (ose bëjmë sikur harrojmë) oraret e ekspozimit në diell si dhe vendosjen e kremit mbrojtës.

Megjithatë, ekzistojnë dhe faktorë të tjerë që na paraqesin përpara riskut të kancerit të lëkurës.

Vazhdoni leximin më poshtë për t’u njohur me këta ‘fajtorë’.

  • Prania e HPV

Ekzistojnë më shumë se 100 tipa të HPV dhe ndoshta keni dëgjuar për ato lloje që transmetohen seksualisht dhe zmadhojnë riskun e kancerit cervikal.

Por disa të tjera mund të kenë ndikim në lëkurën tuaj: shkaktojnë tharje, kruajtje ose lytha.

Disa hulumtime kanë zbuluar se prania e tyre mund të rrisë edhe rrezikun për kancer nëse ekspozohen në diell. Pra, nëse lëkura juaj është e infektuar me HPV ose dhe e ekspozuar në një masë të madhe në diell, ju po krijoni dy ‘skenarë’ të cilët mund të modifikojnë ADN-në dhe të shkaktojnë dëme të qelizave duke çuar në kancer të lëkurës. Rekomandohet të jeni shumë vigjilent për masat e sigurisë gjatë ekspozimit në diell.

  • Ritualet tuaja nën çadër

Të qëndruarit nën hijen e çadrës është një zgjidhje e zgjuar, por nuk mjafton. Sipas një studimi në Teksas, ku krahasoheshin persona të cilët kishin aplikuar krem me faktor mbrojtës 100 dhe persona që kishin qëndruar nën çadër, u vu re se këta të fundit paraqisnin një shkallë të trefishtë të djegies.

Pra, çadrat na japin një ndjenjë të rreme të sigurisë. Në plazh rrezatojnë edhe rëra e uji.

  • Postimet në mediet sociale

Në vitin 2015, një grua e cila postoi një Facebook një selfie të fytyrës me plagë ndërsa trajtohej nga kanceri i lëkurës u bë virale dhe ishte një mënyrë e mirë për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve ndaj kancerit pasi, sipas dermatologes Melanie Palm, tërhoqi vëmendjen e njerëzve të cilët mendonin se nuk do të prekeshin kurrë nga kanceri i lëkurës.

Për fat të keq, postimet në mediet sociale tentojnë të jenë poza duke bërë yoga, poza buzë pishinës dhe sipas dr. Palm ndoshta mund të mos jetë aq seksi të pozojmë me krem apo veshje mbrojtëse, ama në mediet sociale duhet të ketë më shumë apel për mbrojtjen e lëkurës.

  • Gota me Rosé buzë pishinës

Një studim i botuar vitin e shkuar në British Journal of Dermatology zbuloi se sasia e alkoolit që konsumojmë gjatë një dite mund të rrisë shanset për kancer të lëkurës.

Një tjetër studim ka zbuluar se alkooli ul nivelet e antioksidantëve në trup që do të thotë se kemi më pak mbrojtje natyrale ndaj rrezeve UV.