MENU
klinika

Jeta, libri dhe rrëfimet

A u përdhunua “Vajza e fshatit tim” nga Komunizmi?

10.08.2019 - 20:16


Anës e pas anes-o
Lumit te fshatit tim
Nga fushat vijne vashat so-ot
Djersa ne balle iu ndrin

Lumturine rrisin sot
Vashat tona duararta
Lule jane vete ato
Lulet e gezimit tone
Lulet e gezimit tone

Me buken e fushes-o
Me eren e malit o-o
Me kenge trimerie vashat
E kane rritur shtatin-o

Mes eres se fushes-o
Mes eres se malit-o-o
Rrisin dashurine vashat
Per djemte e fshatit-o

Anes e pas anes-o
Lumit te fshatit tim
Rriten vashat trimeresha
Ne roje te Lirise

Krahet e tyre ngjyre ar,
Sec i poqi dielli i jugut
Endrat e tyre kane ato
Kokra gruri stiv mbi toke
Kokra gruri stiv mbi toke

Me buken e fushes-o
Me eren e malit o-o
Me kenge trimerie vashat
E kane rritur shtatin-o

Mes buken e fushes-o
Mes eres se malit-o-o
Rrisin dashurine vashat
Per djemte e fshatit-o.

***

Duhet ta mbani mend Alida Hiskun, vajzën që këndonte vargjet më lart në filmin “Vajzat e fshatit tim”.

Një tiranase, e cila nisi rrugën e saj drejt këngës pikërisht nga festivalet e pionerëve, asokohe, në festivalet e të rinjve, apo edhe të tjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Nëse do të rendisja daljet e saj, do veçoja 10 festivalet kombëtare të RTSH-së.
Sot, ajo jetën e saj ka zgjedhur ta zhvillojë jashtë kufijve shqiptarë, në Gjermani, ku botoi edhe një libër me historitë e saj tronditëse nga Komunizmi, por kthehet shpesh në Shqipëri, ndoshta në folezën e saj.

Sot mbushen sallat, sheshet, kudo ku ka muzikë, po nëse do të dëgjonim përshkrimin e këngëtarëve të asokohe, nuk do krahasohej me përmasat e atyre viteve. Më tepër atmosferë, dhe gjithçka me një shije ndryshe. Ndoshta njerëzia ishte më e uritur për tinguj. Sigurisht që ishte… brenda atyre telave me gjemba izolimi, muzika mund të ishte një formë çlirimi për ta. Për shpirtin më shumë.

Dhe burim i kësaj lirie mbeteshin këta këngëtarë, të vërtetë, në zë, të cilët skenat e sotme i presin me duartrokitje të stuhishme.
Njëlloj ndodhi dhe me Alida Hiskun, uroj të mbani mend rikthimin e saj në 2011-ën, në Festivalin e 50-të të Këngës.

Për të kuptuar kështu edhe historinë që mbart ai Festival, se aty është ngjitur dhe gjithë plejada e vjetër për publikun shqiptar.

Më vonë, Hisku publikoi edhe albumin “Kthimi”, i cili u shndërrua ndër më të suksesshmit e saj. E ka realizuar së bashku me djalin e saj, Albinin. Albumi ka si ide kthimin e saj në skenë para publikut, por tashmë jo vetëm. Konkretisht kënga “Kthimi”, me të cilën ka titulluar edhe albumin, është fabula e vetë jetës së saj, që në formë balade përcjell gjithë filozofinë e një realiteti të dhimbshëm, por me një rikthim plot shpresë.

Rikthehemi përsëri tek libri i saj, i cili menjëherë pas botimit u shit shumë shpejt… Në një panair të librit në Gjermani ai u kërkua shumë. Ai libër është një dëshmi jete në dy sisteme shoqërore, një analizë të jetës së saj prej 50 vjetësh. “Die Hofnärrin des Diktators” që në shqip mund të përkthehet “Lolot e Diktatorit”. Ky libër është një autobiografi që përshkon fazën e jetës së saj qysh fëmijë e deri në vitin 2005.

Beteja e saj e egër me komunizmin nisi sipas rrëfimeve të saj kur ajo ishte në Sarandë.

Ajo ishte mësuar të shkruante në një ditar, çka i ndodhte, e ndoshta edhe thjeshtë kujtime. Ndodhi që ky ditar përfundoi në Komitetin e Partisë.
Çfarë ndodhi më tej?
I zhdukën këngët, dhe përfundoi në një repart ku ishin punëtorët e dënuar.

Përtej asaj çfarë Hisku ka rrëfyer në librin e saj, ka patur edhe kritika, madjemjaft të rënda edhe duke e akuzuar për gënjeshtra midis tyre. Sherif Merdani, tregon se histori të tilla janë sajesa.

Aida Hisku akuzonte se hetuesia, policia përdhunonin të burgosurat, e nga ana tjetër, Merdani thekson, se diçka e tillë ishte e pamundur, se gjithkush i druhej spiunimit. Madje ai shkon më tej duke shtuar se Hisku mund të mos ketë qenë kurrë në burg, por vetëm e internuar.

“E kam mik Platonin, por më shumë dua të Vërtetën”, thotë ai, duke cituar Aleksandrin e Madh. Arsyeja pse Hisku e ka bërë diçka të tillë sipas tij, mund të ishte vetëm për efekt marketingu, për suksesin e librit e saj.

Por karriera e Alida Hiskut nuk nisi me shkrimin, por me këngën, që në fëmijëri me medalje ari për të vijuara me çmime në festivalet e këngës.

Por Alida Hisku u nda me skenën në kulmin e shkëlqimit.

Në intervistat e saj ajo tregon se pengu më i madh në jetën e saj është fakti se në kulmin e asaj që donte të jepte në skenë e ndaluan.

“Nuk më vrau heqja nga skena atë kohë, por heqja nga publiku.”

Alida Hisku:

“Unë Alidën nuk e shikoj si një emigrante që ka shkuar në Gjermani, por si ambasadore e shtetit shqiptar. Kjo më ngarkon mua për shumë detyra, por dhe nëse unë do të sjell në treg diçka për veten time duhet ta sjell për gjermanin.

Unë përfaqësoj të gjithë emigrantët, nuk jam Alida, atje jam ambasadore e shtetit shqiptar, dhe duke e lexuar lexuesi gjerman thotë: i heq kapelen Shqipërisë.
Kjo është detyra ime.

Unë atje organizoj dhe koncerte me gjermanë, sepse kam blerë një shtëpi në pyll është e madhe dhe kam restorant, kam bërë një skenë atje, dhe në fund kur e pyes publikun ju pëlqeu koncerti apo ushqimi shqiptar, ju them a doni dhe një këngë shqiptare. Por a ka gjë më të bukur se kjo, është pozitive për Shqipërinë.”

  • Ndër këngët e Alida Hiskut përmendim:

“Portret heroine” 1970,

“Shqipëria përshëndet” 1971,

“Si agim i kuq” 1973,

“Vajzat e fshatit tim” 1974,

“Buka e duarve tona” 1975,

“Këngët e rinisë” 1976,

“Kasollja e Galigatit” 1977,

“Nëntori i lirisë” 1978, etj.

  • Çmime

• 1970, 13 vjeçe në Festivalin e 9-të, merr çmimin e dytë. Kompozimi Agim Krajka “Portret”

• 1971, 14 vjeçe në Festivalin e 10-të, merr Çmimin e Dytë. Teksti Dritëro Agolli “ E paharruara”

• 1973, në Festivalin e 12-të fiton Çmimin e Dytë me këngë të Josif Mingës “Agimi i Kuq”

• 1974, në Festivalin e 13-të fiton Çmimin e Parë me këngën “Vajza e fshatit tim”

• 1975, në Festivalin e 14-të fiton Çmimin e Parë me këngën “Buka e duarve tona”.

• 1976, në Festivalin e 15-të me këngën “Bisedon me popullin”, duet me Liliana Kondakçiun.

• 1979, në Festivalin e 18-të me këngën “Nëntori i Lirisë”, fiton Çmimin e Dytë

• 1980, në Festivalin e 19-të fiton Çmimin e Dytë me këngën “Njerëzit e Agimeve”

• 1981, në Festivalin e 20-të me këngën “Flaka e Betimit”, në duet me Ema Qazimin.

//Bionelda Skonja

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit