MENU
klinika

Rama nxjerr mesazhin e fortë

Aktori i ditës: Teatri, si stallë kuajsh!

07.08.2019 - 16:29

Kryeministri Edi Rama ka cituar këtë pasdite një tjetër artist që mendon se Teatri Kombëtar duhet të shembet.

Rama përcjell mesazhin e aktorin dhe regjisorin Bruno Shllaku, i cili e krahason sallën e teatrit me stallë kuajsh, që sipas tij, Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojesh.

Sipas regjisorit Shllaku, “ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë vlera më të mëdha kur të bëhet një godinë e re, bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit të Tiranës, i cili shumë shpejt do të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës”.

  • Mesazhi i plotë:

Miti i skenës shkodrane Bruno Shllaku, ishte vetëm 11 vjeç, kur u ngjit në skenën teatrore. Ndërsa si profesionist ai e nisi karrierën në teatrin “Migjeni” të Shkodrës.

Si emigrant, së bashku më të shoqen Paskualinën, edhe ajo artiste e “Migjenit”, krijoi një teatër fëmijësh jashtë vendit. Pas rikthimit në Shqipëri, si aktor dhe regjisor i Teatrit “Migjeni”, Bruno Shllaku, ka pasur një karrierë të pasur me personazhe në skenë dhe ekran. Opinioni i tij për çështjen e Teatrit Kombëtar është i qartë.

  • BRUNO SHLLAKU:

Më vjen mirë që gjithmonë gjërat e mira vazhdojnë sipas traditës klasike, të lindin me vështirësi. Kam parasysh për analogji momentin e parkut të Liqenit, kur u vërsulën i madh e i vogël me drurë e me shkopinj dhe mjete rrethanore për ta ndaluar të bëhej, dhe po ato njerëz vijnë dhe gjejnë qetësi dhe kënaqen, ndoshta – ndoshta edhe mburren në heshtje.

Përsa i përket çështjes së Teatrit, më vjen keq se shumë nuk e dinë që është një godinë që i përket një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojesh.

Ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë vlera më të mëdha kur të bëhet një godinë e re, bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit të Tiranës, i cili shumë shpejt do të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës.

Reliket, figurat, objektet e suveniret e atij teatri, do të jenë në një seli të shenjtë si Teatri i Ri modern, që jam i bindur se do të ndërtohet. Jam dakord që Teatri i Ri të fillojë punën një orë e më parë dhe madje kam besim absolut te arkitekti që do vërë dorë në teatër.