Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka reaguar pas aksionit anti-informalitet, që vijon prej fillimit të muajit korrik, dhe që po ndëshkon me gjoba e deri mbyllje të gjitha bizneset që abuzojnë.
Në një mesazh në “Facebook”, Basha thekson se dhuna e gjobave dhe sekuestrimeve kundër sipërmarrjeve të vogla bëhet për të grabitur paratë e tyre dhe për të financuar hajdutërinë dhe luksin e Hajdutit Psiqik e klientëve të tij milionerë.
Sipas kreut të Partisë Demokratike, mafia kroate dhe familjarët e kryeministrit Edi Rama do të përfitojnë 10 milionë euro në vit nga shitja e programit elektronik te bizneset.
- Mesazhi i plotë:
Hajduti Psiqik – Mafia Kroate – Vëllai në mes! Tani të gjithë e kuptojnë se një nga arsyet kryesore për dhunën e gjobave dhe sekuestrimeve kundër sipërmarrjeve të vogla që sigurojnë mbijetesën e shumicës së familjeve shqiptare, bëhet për të grabitur paratë e tyre dhe për të financuar hajdutërinë dhe lluksin e Hajdutit Psiqik dhe klientëve të tij milionerë.
Tenderi 15 milion euro i paracaktuar për miqtë e mafias kroate dhe familjarët e Hajdutit Psiqik, është pjesa më e vogël e përfitimit. Mafia kroate dhe Hajduti Psiqik do të fitojë 10 milion euro në vit nga shitja e programit elektronik tek bizneset. Për këtë po bëhet e gjithë lufta për faturimet e Hajdutit Psiqik: që t’u imponojë bizneseve shqiptare blerjen e programit nga miqtë e mafias kroate në janar kur hyn në fuqi detyrimi.
Në janar miqtë e mafias kroate në ortakëri me familjarët e Hajduti Psiqik do jenë të vetmit që do kenë gati programin për ta shitur me detyrim te bizneset, sepse çdokush tjetër nuk do ketë detajet teknike për ta ndërtuar. Praktikisht miqtë e mafias kroate, Hajduti Psiqik dhe familjarët e tij do të kenë monopolin.
Hajduti Psiqik nuk do ndalet deri sa të vjedhë edhe pikën e fundit të mundit dhe gjakut të shqiptarëve. Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare! #HajdutiPsiqik #RamaIk