Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas lajmit se dy shqiptarët nga Kosova, Mrika dhe Arianit Nikçi kanë shkruar historinë, duke u ngjitur në shtatë majat më të larta të shtatë kontinenteve.
Përmes një mesazhi në “Facebook”, Kreu i Shtetit shpreh mirënjohjen e thellë për 17-vjeçaren Mrika dhe babanë e saj, të cilët sot kanë arritur të ngrenë flamurin kombëtar në majën e shtatë më të lartë në botë, në Carstensz Pyramide të Indonezisë, në një lartësi prej 4884 metra.
“Krenarë dhe mirënjohës për Mrikën dhe Arianitin, të cilët ngritën flamurin kombëtar në 7 majat më të larta të shtatë kontinenteve!”, shkruan Meta.
Ndërkohë, kujtojmë që dy shqiptarët Mrika dhe Arianit Nikçi kanë arritur të valëvisin flamurin kuqezi dhe atë kosovar në të shtatë majat më të larta të shtatë kontinenteve, duke thyer rekordin botëror.