Është një nga poetët më të mëdhenj francezë të fillimit të shekullit XX, autor i “Urës Mirabo”. Gjithashtu, ai shkroi romane dhe vjersha erotike. Ishte i pari që praktikoi kaligramat në poezi, poemat e tij të shkruara në formën e vizatimeve dhe jo të një forme klasike në vargje dhe stanza. Kampioni i avangardave artistike, veçanërisht kubizmit, poeti dhe teoricieni i frymës së re, pararendësi i surrealizmit./Konica.al
Gijom Apolineri, emri i vërtetë Wilhelm Albert Włodzimierz Apolinar i Waz-Kostrowicki, është lindi më 26 gusht 1880 në Romë dhe vdiq më 9 nëntor 1918 në Paris.
Poeti i mirënjohur i dashurisë dhe luftës, Apolineri na ofron një vepër të larmishme, arti i rafinuar dhe modern i së cilës prehet në kryqëzimin e arteve plastike dhe letërsisë. Me prekje magjistrai ai arriti që gjatë ekzistencës së tij të shkurtër të farkëtonte lirinë e dëshiruar. Poeti pati një jetë të shkurtër dhe të plotë, një jetë të endur me histori të panumërta. Poet gjeni, tregimtar dhe krijues i patëdytë, Apolineri ka përkrahur të gjitha tendencat artistike avangarde të kohës së tij, midis Montmartre dhe Montparnasse. Dimë fare pak për luftën që i është dashur të bëjë për të krijuar një emër, një emër në letërsi, në mes të të gjitha endjeve dhe rreziqeve. Burgimi me rastin e vjedhjes së Mona Lizës dhe, madje edhe më shumë, angazhimi i tij si vullnetar në 1914, do të jetë motorë të fuqishëm të krijimtarisë së tij, duke shtuar në gjithçka shkruante, një butësi, një plotësim të shpirtit që i përkisnin vetëm atij. Sensual, përpirës librash, duhanpirës i pakorrigjueshëm, i etur pas jetës, Apolineri do ta tërheqë frymëzimin e tij në brigjet e Mesdheut, gjeografi e vërtetë afektive nga ku do të buronin poema dhe letra të paharrueshme. Kurrsesi një i burgosur i së kaluarës, i pavarur, më tepër “i paangazhuar” sesa një drejtues, Apolineri arriti, gjatë jetës së tij të shkurtër, të kridhej në gjithçka që do t’i lejonte të farkëtonte lirinë e dëshiruar. Apolineri, i magjishmi melankolik. Krijimtaria e tij shpreh erotizëm, dashuri, nostalgji dhe hap mënyra të reja për poezinë e kohës së tij. Një botë në ekuilibër të paqëndrueshëm.
Gijom Apolineri, një nga poetët më të mëdhenj francezë dhe europianë të shekullit XX, ka patur një interesim të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për herë të parë është njohur me problemin shqiptar në vitin 1903, siç e thotë dhe vetë në një shkrim. Atij i ranë në dorë numrat e revistës “Albania” dhe u habit nga niveli i lartë, erudicioni dhe militantizmi kombëtar për pavarësinë shqiptare./Konica.al
U njoh me Faik Konicën, me të cilin pati edhe letërkëmbim e krijoi miqësi, shkroi edhe një shkrim memorial në 1912. Në letrat, Apolineri shprehet me konsideratë dhe entuziazëm për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Konica dhe Apolineri u takuan në Londër, në vitin 1903. I pari kishte lënë Belgjikën pasi përnfiqej nga policia e Brukselit, e denoncuar nga autoritetet turke: Konica ishte dënuar me vdekje në Turqi në mungesë. Sa i përket Apolinerit, ai ishte në Londër për të takuar miken e tij Annie Playden, me të cilën dëshironte të martohej.
Interesimi i Apolinerit për çështjen shqiptare mund të shihet në disa botime: “Për Shqipërinë, Ese mbi gjuhët natyrore dhe artificiale” dhe në tekstet e tij mbi Shqipërinë – Dy princa të rremë të Shqipërisë, Parathënie për Shqipërinë dhe Francën, një profeci bashkëkohore që prek Shqipërinë.
“Çështja shqiptare u shfaqet diplomatëve të mëdhenj që rregullojnë fatet e botës, shumë e vogël në krahasim me marrëveshjet e frikshme që imponohen në vëmendjen e universit të tronditur. Diplomatët e mëdhenj mund të jenë të gabuar. Ndoshta, të gjithë të habitur, ata do të shkojnë një ditë në Janinë ose Croye (Krujë), kryeqytetin e lashtë të Skënderbeut, për të shtruar me një dorë të pasigurt themelet e një Evrope të re”, – shkruan Apollinaire./Konica.al
“Shqiptarët janë ndoshta, sot, raca më e pastër ndër popujt e tjerë indoeuropianë. Kombëtarizmi i shqiptarëve, për këtë arsye nuk mund të jetë më i dyshimtë, se sa vetë kombësia e tyre dhe Lordi Hobhouse, që e ka shoqëruar gjatë udhëtimit në Shqipëri Lord Bajronin, shkruan se në fillim të shekullit XIX, duke iu referuar popujve, prej të cilëve përbëhej perandoria osmane “ndryshe nga popujt e tjerë të perandorisë, që ruajnë ende njohjen sipas feve, shqiptarët veçohen për ndjenjat e tyre të përkatësisë kombëtare”./Konica.al