MENU
klinika

Kadare i shpërfillur

“Banorët e pallatit të ëndrrave”

18.08.2019 - 14:48

Nga: Mihallaq Qilleri

Sigurisht nuk bëhet fjalë për vitet e fundit kur ai ka pushtuar botën me letërsinë dhe mendimet e tij. Por herët, herët, atëherë kur liria nuk kishte edhe aq kuptim.

Sa herë shkoj në Gjirokastër, midis të tjerave, kujtoj edhe këtë ngjarje e cila më ngjau e pazakontë edhe atë kohë, pra, 36 vite më parë, por sot ankthi për të, moskuptimi, ose kuptimi i shtrembëruar, egoizmi zyrtar, ose hakmarrja banale, me ngjallin gjithmonë e më shumë çudi. Sa thjesht mund të përjashtoheshin gjenitë e kombit! Kemi lexuar jetëshkrime shkrimtarësh a monografi për ta dhe e dime se e pazakonshmja ka përbërë karakterin e jetës së tyre. Por është ndryshe ta lexosh se si mënjanohej Pasternaku nga regjimi stalinist, se si nuk kuptohej e shpërfillej Jack Londonon nga botuesit e shoqëria e mykët milionere, dhe krejt ndryshe është ta prekësh lehtësisht, ta ndjesh për fytyrë trishtimin e idhullit tënd, ashtu, në një shesh thuajse të zbrazur të qytetit të tij të lindjes.

Më i vetmuar nuk më ishte dukur asnjëherë Ismail Kadare, ndonëse çaste të vështira ai i ka patur mbi shpinë sa here i duhej të kundërshtonte, apo binte ndesh realitetin sklerotik shqiptar. Ai është gjallë, falë zotit, dhe ndoshta nuk e mban mend aspak këtë çast të vështirë, shpërfillës të jetës së tij. Por ne adhuruesit e “Krishtit” të letërsisë shqipe, nuk mund ta harrojmë.

 

 

 

 

Herën e fundit mbaj mend se ishim takuar në një si biçim pleniumi, pa numër, sigurisht, i cili mbahej në një sallat e katit të sipërm të ish-Pallatit të Kulturës. Duhej të qe viti 1982. I pranishëm numri II i Partisë së Punës, Ramiz Alia. Diku midis sallës, gjendesha edhe unë. Përse isha thirrur do ta mësoja pas pak. . Pas panoramave rozë të zhvillimeve letrare në vend, nisi një kritikë për disa vepra të botuara vitet e fundit. Mbaj mend që u përmend edhe një nga librat e mi. Por shpejt do ta kuptoja se nuk isha unë synimi. As tri-katër të tjerët. Por, Ismail Kadare. Qe botuar vepra e mrekullueshme “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Qe shqetësuar menjëherë nga përmbajtja e tij, superstruktura e shtetit. Kush ishte Pallati i Ëndrrave? Kush qe nëpunësi?. . Po Sjellësi i Fatkeqësisë?

Pata mundësi ta takoja gjatë një pushimi midis. Sigurisht ishte tepër i mërzitur, i veçuar. Nuk kisha kurrfarë afiniteti me të dhe as mund të këmbenim ndonjë fjalë për atë çka po ndodhte. Thjesht ishte një përshendetje kortezie. Këtë “plenium”, i cili vinte 10 vite pas atij të IV, të famshëm duhet ta kishin frikë shumëkush. Mesa duket partia ndjente nevojën ta shkundtte herë pas here inteligjencën krijuese për të frenuar idetë e saj, synimet, kritikat, hapat e bëra jashtë ideologjisë që shitej, madje edhe atë që quhej novatorizëm në letërsi e arte.

Frika vinte gjithashtu nga përmasat që merrte nëpër botë letërsia e Ismail Kadaresë, një letërsi që vlerësohej, botohej e ribotohej në gjuhë të ndryshme dhe kam përshtypjen se ato kohë ai jetonte mes këtij helmi që vinte nga letra a mbledhje te tilla, dhe gëzimeve të fshehta që shtypi i përmbajtur i kohës i raportonte me disa rrjeshta.

 

 

 

Pra, po takoheshim në Gjirokastër pas atij “pleniumi”.

Siç dihej Festivali Folklorik i Gjirokastrës zhvillohej çdo 5 vjet, ose çdo përvjetor jubilar të lindjes së Enver Hoxhës. Ai niste diku në dhjetëditëshin e parë të tetorit dhe zgjaste një javë. Për të ndjekur Festivalin vinin në këtë qytet thuajse të gjitha personalitetet politike, të shkencës e të kulturës dhe Gjirokastra fitonte kështu edhe një dimension tjetër. Për kohën eventi ishte një ngjarje madhore dhe doemos i krijonte qytetit pamje, ndonjë mundësi zhvillmi, rregulli i disa kalldrëmeve.

Më kujtohet se si, një nga këto ditë, – ndoshta në vigjilje të Festivalit, – po zbrisja nga Sheshi i Çerçizit për në shtëpinë time kur, po asaj rruge, ngjitej Ismail Kadare. Ecte ngadalë, kurrizpërthyer, i zhytur në mendime. Ajo rrugë e pjerrët lodhte edhe një djalë të ri, ndonëse as ai nuk qe burrë i vjetër. . Ai e dinte këtë më mirë se unë. Mbante në dore një xhaketë të cilën e kishte hequr nga supet dhe e kishte hedhur ne parakrahun e dorës së djathtë.

Mbajta këmbët. U takuam. . Siç kam thënë gjithmonë nuk kam pasur kurrë intimitet me shkrimtarin e madh. Kjo vinte për shkumë shkaqe. Se pari unë jetoja në Gjirokastër dhe Tiranën e vizitoja rrallë. Nuk kam qenë njeri i ngjitur pas emrave të mëdhenj, aq sa shumica e tyre i dinin vetëm me tituj librat e mi, por nuk më kishin takuar kurrë. Pak kohë më vonë atij do t’i jepej nga Shtepia Botuese “Naim Frasheri”njëra nga recencat e dorëshkrimit tim “Kristali blu” dhe, më shumë se vlerësimi i tij pozitiv për librin, do të takoheshin dy- a tri here pas peripecive që ndodhën pikërisht për atë libër.

– Sikur nuk të shoh mirë, – i thashë menjëherë, por i pasigurt. – U lodhe?

– Po, jo, – kundërshtoi menjëherë ai duke rrudhur buzët. Heshti një copë herë, kaloi xhaketën mbi parakrahun tjetër dhe shtoi. . – Si të të them. Disi i mëzitur.

Nuk dija për çfarë ta pyesja. E përsëris se mërzitjet ndahen me miq të afërt. Unë nuk isha i tillë. Por ai sikur donte ta ndante atë mërzitje me dikë, qoftë ky edhe një kalimtar.

– Më kanë caktuar të fle në Hotel Turizmin e Tepelenës, – tha befas. – Përfytyro të vesh e të vish çdo ditë në Tepelenë për të parë Festivalin.

– Po përse në Tepelenë?, – ngula këmbë i habitur.

– Po ku di unë! – ngriti supet ai. – E pe atë që u ngjit para meje?

Ktheva kokën. Po e kisha parë dhe takuar. Ishte një nga emrat kryesorë që drejtonin Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Një punëtor partie nga ata që nuk munguan kurrë në ato kohëra. Sigurisht kishte shkruar edhe libra, por i pakrahasueshëm në talentin e tij me Ismail Kadarenë.

– E takova, – i thashë.

Në mendjen time lindi menjëherë një dyshim tjetër. Ata duhet të kishin udhëtuar nga Tirana për në Gjirokastër me mikrobuzin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Pra duhej të kenë qenë rreth dhjetë veta. Tani mbërrinin në qytetin e gurtë dhe ja, ndaheshin prej njeri-tjetrit si pasagjerë që vinin nga vise të ndryshme. Njeri përpara, tjetri pas. U ndjeva keq.

– E, ai caktohet të banojë këto ditë në Hotel Turizmin e Gjirokastrës, kurse unë duhet të shkojë e të vij në Tepelenë! Hëm!

U mërzita. I thashë me nxitim se ai mund të vinte të qëndronte në shtëpinë time për të gjitha ditët e Festivalit. Një vit më parë më kishin dhënë një apartament të madh dhe një dhomë pune. Kështu që nuk ishte e vështirë të mbaje një mik, e, aq më shumë një mik aq të shquar.

– Faleminderit!, – ma ktheu. – E kam menduar gjatë rrugës edhe këtë. – U mendua disi duke vështruar asfaltin e nxehtë. – Më bën nder, – shtoi me pak ndrojë, – nëse më shpie deri te shtëpia e Petro Çerkezit. Nuk ia di saktë.

– Posi! – iu përgjigja.

U ktheva dhe nisëm të ngjitnim së toku Sheshin Qendror, pastaj Qafën e Pazarit. E dija se ai kishte miqësi me dy nga miqtë e mi poetë, Thanas Dinon dhe Petro Çerkezin. Dija gjithashtu, – siç duhej ta dinte edhe ai, – se ata jetonin jo në apartamente si unë, por shtëpi private në Gjirokastrën e Vjetër.

Nisëm të zbritnim Rrugën e Varroshit ku gjëndej shtëpia e Petro Çerkezit. Rrugës nuk e pyeta për asgjë, sidomos për shkakun e kësaj “shpërfillje” që po i bëhej. Nuk mund të mos kujtoja ngjarjet e pak kohëve më parë, episodin me “Nëpunësin. . ’, thashethemet që qarkullonin rreth dorëshkrimit të romanit të tij tjetër madhor, “Koncert në fund të dimrit” dhe të gjitha këto më vinin ndërmend në atë rrugë zbritëse të Varroshit, në atë rrugë rrëshqitëse, përfund shtëpisë së tij të lindjes.

Te Çerkezajt e pritën, kuptohet, me shumë dashuri. Qëndrova pak aty dhe ika. .

 

 

 

 

Nuk e mësova nëse Kadare i ndoqi të gjitha ditët e Festivalit Kombëtar të Gjirokastrës. Madje nuk e takova më. Por pak muaj më parë, kur në shtëpinë e tij muze në Gjirokastër, zhvillohej nje debat krijues për librin më të fundit të poetit Aleksandër Çipa, dhe ne ishim mbledhur si dikur, të thinjur e të dhjamosur, ia kujtova këtë episode mikut tonë të përbashkët, shkrimtarit e poetit Thanas Dino. U ngazëllye. E mbante mirë fort bukur . Ai më tregoi se Ismaili iku nga Gjirokastra dhe festivali pas dy ditësh. . Ndoshta nga që edhe në qytetin e tij të lindjes ndihej i huaj.

Por kjo ngjarje m’u kujtua tani pas 36 vjetësh dhe… u trishtova…!

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!

Flet “ikona” e lajmeve në RTSH

Si u pushtua televizioni pas vrasjes së Azemit!