MENU
klinika

Mesazhi i Bashës

Berat/ Ndahet nga jeta themeluesi i Partisë Demokratike

04.08.2019 - 16:47

Kryetari i Komisionit Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike në Berat, Fehmi Telegrafi është ndarë sot nga jeta.

Ai la pas një histori të mbushur me kontribute brenda selisë blu. Për këtë humbje në radhët e PD-së ka reaguar edhe kreu i saj Lulzim Basha, i cili thotë se vdekja e Telegrafit ka krijuar boshllëk për Partinë Demokratike dhe për intelektualët e Shqipërisë.

  • Mesazhi i ndjerë i Bashës:

“Mësova me hidhërim për largimin prej nesh të Fehmi Telegrafit, kryetarit të Komisionit Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike në Berat, në ditët e para të janarit të 1991-it. Në një ditë të vështirë për demokracinë shqiptare, mësuesi, intelektuali, patrioti dhe demokrati beratas Fehmi Telegrafi e përjetësoi emrin e vet në historinë e Partisë Demokratike. Ai së bashku me një grup intelektualësh dhe qytetarësh beratas, mori pjesë aktive në organizimin e mitingut të parë të Partisë Demokratike më 9 Janar 1991 në Berat. Zyra e tij si trajner i sportit të peshëngritjes tek “Poligoni” u bë pikëtakimi për grupin organizator që do të merrej me mitingun e parë të PD në Berat, një miting madhështor e mbresëlënës që beratasit e kujtojnë sot e kësaj dite.

Komisioni nismëtar i krijimit të degës së Partisë Demokratike në Berat, i përbërë prej 26 vetësh, e zgjodhi Fehmi Telegrafin kryetar, pavarësisht se në komision merrnin pjesë intelektualë të klasit të parë si i paharruari Simon Vrusho, Bardhyl Sheme, Dhimitër Papa, Nuri Ibro, Piro Leka, Agron Musaraj, Pëllumb Nako apo Ylli Kapllani. Këta guximtarë drejtuan Partinë Demokratike të Beratit në zgjedhjet e 31 marsit 1991 dhe korrën sukses në një zonë të vështirë, kur mund të themi me plot gojën se regjimi diktatorial ishte ende i fortë.

Partia Demokratike ka fatin e madh të gëzojë një histori kaq të lavdishme e të kujtojë protagonistë të tillë si Fehmi Telegrafi. Pinjoll i nje familjeje qytetare, profesor Fehmiu ishte intelektuali, atdhetari i kulluar dhe trajneri i shkëlqyer i peshëngritjes beratase, trajner i shumë prej ikonave të peshëngritjes së Klubit Sportiv të Tomorit, që korrën sukses në rang kombëtar e ndërkombëtar. Triumfi i Fehmi Telegrafit dhe miqve të tij, themelues të PD në Berat, është një trashëgimi frymëzuese për përballjen me sfidat e sotme. Në Berat e në të gjithë Shqipërinë, Partia Demokratike e ka pasuri këtë histori frymëzuese, këtë fibër qëndrese dhe mospranimi të së keqes.

Në Berat e në të gjithë Shqipërinë, nuk do ta lëmë të keqen të triumfojë, sepse Partia Demokratike është trashëgimtare historike e qëndresës që pesha të rënda si Fehmi Telegrafi bënë në ditët e vështira të 1991-it. Qëndresa e sotme ndaj të keqes është nderim për kujtimin e Fehmi Telegrafit. I përjetshëm do të jetë emri i profesor Fehmi Telegrafit në historikun e Partisë Demokratike të Shqipërisë.”-thuhet në mesazhin e ndjerë të kreut të PD-së.

Lëvizje e shtuar në Kapshticë

Emigrantët kthehen për festat e fundvitit

Korça, Tirana, Vlora e Shkodra destinacionet më të preferuara

Të huajt zgjedhin Shqipërinë për festat e fundvitit!

Nëna kërkon ndihmë nga policia

Zhduket në rrethana misterioze 16-vjeçari

150 familje mbeten pa energji elektrike

Rikthehet dëbora në juglindje të vendit