Brescia nuk ndalet në merkato dhe pasi ka zyrtarizuar dhe prezantuar sulmuesin Mario Balotelli, është hedhur në sulm për të rikthyer në Serinë A një tjetër kampion. Bëhet fjalë për 33-vjeçarin Claudio Marchisio, i njohur me nofkën “Princi i vogël”.
Mesfushori është për momentin pa klub, pasi vendosi të divorcojë në mënyrë konsensuale me skuadrën ruse të Zenit shën Petërburg. Për këtë arsye, ai mund të transferohet në çdo moment.
Brescia kërkon të lërë gjurmë këtë sezon në Serinë A, ndaj është gati t’i hapë dyert lojtarit. Drejtuesit e skuadrës kanë nisur bisedimet me menaxherin e lojtarit, që ka fituar 7 tituj kampionë në Serinë A me Juventusin (389 ndeshje dhe 37 gola me bardhezinjtë).
Marchisio numëron edhe 55 ndeshje e 5 gola me fanellën e kombëtares “azzurre”, një përforcim që do të ishte i rëndësishëm për skuadrën e Brescia. Pritet që lojtari të pranojë një ulje rroge për të luajtur me skuadrën e Brescia.