MENU
klinika

"Teatri Kombëtar"

Bujar Asqeriu mohon Ramën: Nuk kam thënë që…

06.08.2019 - 14:28

Aktori i njohur, Bujar Asqeriu, tha dje se nuk është për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, edhe pse është për një teatër të ri.

Asqeriu, i cili ndodhej me pushime, tha se Kryeministri ka marrë dhe ka bërë status të tij fraza të shkëputura të para më shumë se një viti, por që në atë kohë e anatemoi rëndë.

“Ky ka qenë një qëndrim i kahershëm imi, publik, para mediave dhe publikut, ndërsa Kryeministri kap fraza të shkëputura të miat dhe i lidh. Unë kam kërkuar që me çështjen e Teatrit të merren arkitektët. Asnjëherë nuk e kam përmendur fjalën shembje, kam thënë që të flasin arkitektët. Këto qëndrime unë i kam mbajtur që para një viti e gjysmë, por atëherë më shikonin si armik të gjithë, madje Kryeministri, në atë kohë, më anatemoi”, u shpreh dje Asqeriu.

Ai u bën thirrje dhe aktorëve të tjerë që për teatrin të bëjnë betejë vetëm artistët, duke e lënë larg politikën.

“Devizën time unë e kam thënë: larg politikës. Aktorët shkojnë dhe nënshkruajnë në skenë me kryetarin e opozitës, unë nuk jam për këtë. Teatri është i detashmentit të aktorëve dhe artistëve dhe këtë e kam thënë që në fillim. Por vetëm studentët e përqafuan parullën time kur protestuan me devizën: Larg politika! Vetëm ata më kuptuan mua. Unë e kam thënë që ne jemi historikisht në opozitë me shtetin. Beteja jonë është me shtetin. Kujt i thua?! Ata duan të bëjnë karrierë politike dhe administrative, le të bëjnë, punë e tyre. Unë jam artist dhe qëndroj në këto pozicione”, u shpreh Asqeriu.

Sipas tij, komuniteti i artistëve është përçarë nga politika.

“Gabimi më i madh është se artistët u bënë kashtë e koqe, i ndanë në ata që mendojnë si ne dhe në ata që mendojnë kundër nesh. Kur unë fola ashpër në fillim, ata që flasin sot u shpërndanë dhe nuk na mbështetën, nuk u prononcuan. Unë ua thashë në sy si ministres së Kulturës, ashtu dhe kryetarit të bashkisë”, u shpreh Asqeriu.

Në të shkuarën, ai ka folur për mungesë investimesh në Teatrin Kombëtar dhe domosdoshmërinë e një godine të re.

“Teatri ekzistues është i kalbur në të tëra drejtimet, sepse prej vitesh nuk është derdhur asnjë bojë, asnjë gozhdë, asnjë kompensatë, asnjë xham, asnjë gjë. Po kush është më e rrezikshmja për mua, është që në të gjithë prapavijën e skenës së Teatrit Kombëtar gëlojnë viruse shumë të rrezikshme për shëndetin e artistëve, që mund të invadojnë edhe publikun. Deri te trungjet mund të kenë marrë në thellësi mikrobe dhe viruse.

Ndaj, rikonstruksioni i këtij Teatri duhet të jetë me themel. Kur erdhi drejtori i ri para 5 vjetësh, Hervini, porosia e parë që i dhashë ishte: merr institutin e Shëndetit Publik me pompa me ilaç për dezinfektimin e hapësirës skenike, sepse ka qenë një ekzemplar, që një aktoreje i ka ikur zëri kur vajti tek otojatri dyshoi për ekzistencën e viruseve në këtë ambient. Merr institutin me lloj-lloj ilaçesh se kanë vrapuar minj, bubuzhela, mace, lloj-lloj insekti. Kjo është e vërteta”, është shprehur për Panorama artisti i njohur.