Pas votimit të deputetëve për të shpërndarë Parlamentin, ka reaguar edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai thekson se vendimi ka përshpejtuar hapat e organizimit për zgjedhje të parakohshme.
Gjithsesi, presidenti nuk ka bërë ende me dije se kur do të jetë data e zgjedhjeve. Që nga dita e shpërndarjes së Parlamentit, data e zgjedhjeve duhet të përcaktohet jo më herët se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë.
“Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e presidentit.
Vendimi për shpërndarjen e Parlamentit erdhi pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, për shkak të marrjes në pyetje nga Gjykata Speciale, për krimet e pretenduara ndaj serbëve, gjatë luftës së Kosovës.