MENU
klinika

Shqetësim i FMN-së dhe BSH-së

Energjia “gropos” ekonominë

20.08.2019 - 20:40

Energjia elektrike vijon të jetë një barrë e rëndë për ekonominë shqiptare.

Vetëm për muajin gusht, OSHEE ka blerë rreth 8.8 mln euro energji elektrike për të plotësuar nevojat për konsum. Ndërkohë që këtë shqetësim e ka ngritur si FMN po ashtu edhe Banka e Shqipërisë.

Ndërkohë që mungesa e reshjeve e përkeqëson edhe më shumë situatën pasi ka ulur ndjeshëm prurjet.

Vetëm për muajin gusht blerja e energjisë elektrike për të plotësuar nevojat në vend ka kushtuar 8.8 mln euro.

Tenderi i zhvilluar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike për këtë muaj tregon se sigurimi i energjisë është bërë pas 4 raundesh dhe energjia është blerë me një çmim mesatar prej 62.23 eurosh për MWh.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, por edhe Banka e Shqipërisë në raportin e fundit thekson se energjia elektrike ëshët një pengesat kryesore të rritjes ekonomike në vend.

Ndërkohë që shqetësim mbeten edhe prurjet në kaskadën e Drinit.

Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë bërë që të ulet ndjeshëm niveli i ujit në liqenin e Fierzës.

Specialistët thonë se rreth 40 metër kub ujë në sekondë janë prurjet e lumenve që furnizojnë liqenin, ndërsa kuota ka zbritur në 282 metra mbi nivelin e detit nga 296.5 e kuotës maksimale.

“Prurjet janë shumë të gogla, ato të gushtit kanë rënë shumë deri në 40-60 metër kub për sekondë. Kjo ka sjellë që edhe niveli i liqenit të bjerë vazhdimisht. Jemi në nivelin e 282-283, por po të bjerë në nivelin 270-260 sigurisht që do të ketë edhe pasojat e veta.”

Ngadalësimi i ritmit të rritjes ekonomike në muajt e parë të vitit ka ardhur kryesisht si pasojë e rënies së prodhimit të energjisë elektrike.

Ky faktor vlerësohet se pati një efekt negativ prej 1.6 pikësh përqindjeje në rritjen ekonomike të tremujorit të parë, ndërsa shqetësues është fakti se pritet të jetë i pranishëm edhe në pjesën e mbetur të vitit.